E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Drejtori i Barcelonës ka fluturuar drejt Londrës, për t’u takuar me agjentin e yllit të Chelseat

Chelsea Celebrate After Scoring Against Leeds

Barcelona raportohet se e ka bërë sulmuesin e Chelseat, João Pedro, objektivin kryesor për pozicionin e “numrit 9” këtë verë, ndërsa drejtori sportiv Deco po vepron shpejt për të avancuar këtë çështje.

Pedro aktualisht është i fokusuar në garën e Chelseat për kualifikim në Ligën e Kampionëve, ku klubi ka nevojë për rezultate pozitive në dy ndeshjet e fundit të sezonit.

Pasi u vendos se një transferim i sulmuesit të Atletico Madridit, Julián Álvarez, do të ishte shumë i vështirë, Deco ka zhvendosur vëmendjen te Pedro, të cilin e sheh si një alternativë të fortë për sulmues qendror.

Sipas raportimeve të së enjtes, Barcelona beson se mund të arrijë një marrëveshje për rreth 70 milionë euro, por burime nga Londra sugjerojnë se Chelsea do të kërkojë të paktën 100 milionë euro për kartonin e tij.

Sipas “Mundo Deportivo” dhe “Sport”, Deco ka mbërritur në Londër të premten për t’u takuar me agjentin e Pedros dhe përfaqësues të Chelseat.

Ai ka qenë në kontakt me agjentin e tij gjatë javëve të fundit, por qëllimi kryesor i vizitës është të kuptojë qëndrimin e Chelseat për një transferim të mundshëm.

Chelsea ndërkohë është i angazhuar në finalen e FA Cup kundër Manchester Cityt, ku edhe agjenti i lojtarit ka udhëtuar për të ndjekur ndeshjen.

Gjithashtu, Barcelona po shqyrton edhe emra të tjerë për repartin ofensiv. Interi dhe kapiteni i tyre Lautaro Martínez është rikthyer në listën e objektivave, pasi interesimi për të ishte zbehur në vitet e fundit.

Krahasuar me Martínez dhe Álvarez, João Pedro është më i riu nga të tre, por ka më pak përvojë në nivelin e lartë.

Të tre sulmuesit paraqesin profile të ndryshme, ndërsa Pedro shihet si lojtari që më së shumti i afrohet karakteristikave të Robert Lewandowskit për stilin e lojës./GazetaExpress/

The post Drejtori i Barcelonës ka fluturuar drejt Londrës, për t’u takuar me agjentin e yllit të Chelseat appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip