Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Skënderaj, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për manipulim politik dhe nxitje të përçarjes mes qytetarëve.
“Skenderaj sot u përdor si skenë për manipulimin e radhës politik nga Albin Kurti. Sot, Skenderaj u shfrytëzua për të nxitur përçarje mes qytetarëve, për të krijuar tensione artificiale dhe për të prodhuar një klimë konfrontimi politik”, ka shkruar Rama.
Ai ka thënë se, kur një kryeministër përdor institucionet, policinë dhe retorikën për të ndarë qytetarët, “ai nuk po qeveris, ai po manipulon”.
Rama ka kritikuar edhe refuzimin e Kurtit për t’iu përgjigjur ftesës së Prokurorisë Speciale.
“Ky është i njëjti kryeministër që ka refuzuar t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sepse ai është mbi ligjin. Ai është ligji”, ka deklaruar ai.
Sipas kryetarit të Prishtinës, prania e shtuar e Policisë në Drenicë tregon “nevojën e sëmurë për të projektuar autoritet dhe për të ushqyer një logjikë hakmarrjeje politike”.
Duke iu referuar deklaratave të bëra ndaj kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, Rama ka vlerësuar se etiketimi i tij si “Serbia” është i papranueshëm.
“Duke e ditur sakrificën dhe vuajtjen që ka përjetuar Drenica, ta provokosh këtë trevë dhe ta etiketosh Kryetarin e saj si ‘Serbia’ është një akt i ulët. Ta vësh në rrezik paqen sociale dhe t’i shtysh qytetarët drejt përçarjes dhe konfliktit është ligësi”, ka shkruar Rama.
Në fund, ai ka paralajmëruar se tensionimi i situatës dhe tentativat për destabilizim politik janë të rrezikshme për vendin.
“Drenica nuk e meriton këtë. Kosova nuk e meriton këtë”, ka përfunduar Rama.
