E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Dy yjet e Real Madridit me përleshje brutale në stërvitjen e fundit

Image

Tensionet te Real Madridi kanë arritur kulmin në fundin e sezonit, teksa atmosfera e rënduar në skuadër raportohet se u shndërrua në një incident të rëndë gjatë stërvitjes së sotme.

Sipas asaj që shkruan Marca, Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni patën një përplasje të fortë pas një debati të nxehtë, që nxori në pah përçarje të thella brenda “Klubit Mbretëror”.

Sherri nisi pas një faulli gjatë lojës në stërvitje dhe shumë shpejt situata doli jashtë kontrollit. Dy mesfushorët u shtynë, u përballën ballë për ballë dhe debati u ashpërsua, ndërsa sipas raportimeve, përplasja nuk u qetësua në fushë, por vijoi edhe në dhomat e zhveshjes, duke lënë një klimë të pakëndshme në qendrën stërvitore në Valdebebas.

Image

Real Madridi po kalon një periudhë delikate, me pak shanse reale për të mbyllur sezonin me trofe dhe me një grup ku, sipas burimit, dallimet mes lojtarëve janë të dukshme.

Raportohet se disa futbollistë komunikojnë shumë pak mes vete, duke e rritur edhe më shumë tensionin e brendshëm.

Situata thuhet se ndërlikohet edhe nga raportet me trajnerin Álvaro Arbeloa, pasi Marca pretendon se gjashtë lojtarë nuk flasin me të, si pasojë e presionit të akumuluar dhe lodhjes së përgjithshme.

Nuk është incidenti i parë i këtij lloji në javët e fundit. Më herët është përfolur edhe një përplasje mes Antonio Rüdiger dhe Álvaro Carreras, e cila më pas u konfirmua nga vetë lojtari spanjoll, edhe pse klubi u përpoq ta minimizonte duke e cilësuar si rast të vogël. Sidoqoftë, sinjalet e lodhjes emocionale dhe tensionit, sipas raportimeve, janë bërë të qarta.

Për Realin, kjo atmosferë e ngarkuar vjen në momentin më të keq të mundshëm, pasi të dielën e pret El Clásico në Barcelonë.

Image

Një ndeshje që mund ta fundosë përfundimisht sezonin madrilen, pasi Barcelona ka nevojë vetëm për një pikë për ta siguruar titullin – një skenar që do të ishte goditje e rëndë për një Real Madrid të tronditur nga presioni, lodhja dhe konfliktet e brendshme. /Telegrafi/

InfoShqip