E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Ferizaj licencohet për garat evropiane, mund të luajë aty nëse e fiton Kupën

673767080 1606502998145966 3398523276959721295 N

KF Ferizaj është licencuar për garat evropiane të UEFA-s, sipas njoftimit të vetë klubit në rrjetet sociale.

Në një postim të publikuar në rrjetin social “Facebook”, klubi ferizajas ka konfirmuar se është licencuar për garat e UEFA-s nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Pas kërkesës së dërguar në Departamentin për Licencimin e Klubeve për garat UEFA-s, Ferizaj ka marrë përgjigje pozitive nga Komisioni i FFK-së për licencimin e klubeve për garat e UEFA-s, dhe kësisoj, në rast se e fiton Kupën e Kosovës, atëherë do të luajë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Kjo përgjigje vjen, pasi sipas FFK-së, Ferizaj ka plotësuar të gjitha dokumentat e kërkuara brenda afatit të caktuar.

“Ferizaj njofton se, në bazë të vendimit të Federata e Futbollit e Kosovës, jemi pajisur me licencë për garim në garat e UEFA për edicionin 2026/27. Ky vendim vjen pas përmbushjes së të gjitha kritereve dhe dorëzimit të plotë të dokumentacionit të kërkuar sipas rregulloreve në fuqi. Një hap i rëndësishëm për klubin tonë drejt skenës evropiane”, shkruan Ferizaj.

Ferizaj është në finale të Kupës së Kosovës, ku do të luajë me Dukagjinin e Klinës, me finalen që do të zhvillohet më 21 maj në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00.

Që nga sezoni i kaluar, fituesi i Kupës së Kosovës do të luajë në rrethin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.

Vitin e kaluar, Prishtina pasi e fitoi Kupën, luajti në këtë fazë dhe u mposht nga kampioni i Irlandës së Veriut, Larne./GazetaExpress/

The post Ferizaj licencohet për garat evropiane, mund të luajë aty nëse e fiton Kupën appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip