Drama që la pas “Big Brother VIP Albania 4” duket se ende nuk ka marrë fund. Këtë herë, zjarrit i ka hedhur benzinë vetë G-Bani, i cili në një paraqitje të fundit në podcast ka rikthyer në vëmendje përplasjet e vjetra dhe ka bërë deklarata që po qarkullojnë gjerësisht në rrjet.
Teksa në bisedë po komentohej eksperienca e sezonit të kaluar në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, reperi foli me superlativa për Jozin, duke e krahasuar me një nga figurat më të mëdha që kanë dalë nga ky format. Por pjesa që ngjalli më shumë reagime ishte sulmi i drejtpërdrejtë ndaj Gjestit dhe mënyrës se si, sipas tij, u përcaktua rezultati nga votat e publikut.
Pa u ndalur te aludimet, G-Bani u shpreh hapur, duke hedhur akuza të rënda: “Jozi nuk u zu vëlla. Jozi ishte i ëmbël. Ishte Luizi i Big Brother VIP 4 por për arsye të votave të Kosovës karshi Gjestit që ia dhanë në mënyrë raciste, të paragjykuara, unë thoja se duhet ta marrë Danja. Bëri një lojë shumë sublime”, deklaroi ai.
Këto komente kanë ndezur debat në rrjetet sociale, jo vetëm për krahasimet mes banorëve, por sidomos për gjuhën dhe akuzat ndaj votave, që u interpretuan nga shumë ndjekës si tepër të ashpra dhe provokuese.
Kjo “revoltë” e G-Banit lidhet edhe me një prapaskenë që ndjekësit e formatit e mbajnë mend mirë: Gjesti ishte ai që, gjatë lojës, aktivizoi një “zarf të zi” që çoi në eliminimin e papritur të G-Banit dhe Jozit, duke ua ndërprerë rrugëtimin drejt finales. /Telegrafi/
