
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari deklaroi sot se lidhur me goditjen e mashtrimit kompjuterik përmes call center-ave janë referuar 84 raste nga Policia e Shtetit.
Në interpelancën e kërkuar në Kuvend nga deputeti Agron Shehaj lidhur me aktivitetin kriminal të disa call center-ave, Lamallari tha se nuk është e vërtetë që të gjitha operacionet për zbulimin e tyre janë realizuar vetëm nga partnerët apo vetëm me indicie nga partnerët.
Por edhe nëse janë realizuar operacione me partnerët, Lamallari vlerësoi se kjo është tregues i besimit që ata kanë për strukturat e Policisë së Shtetit.
Fjala e plotë e Lamallarit:
Dua të sqaroj se funksioni im si Ministër i Punëve të Brendshme është në nivel politik, që do të thotë se konform ligjit kërkoj llogari për performancën, përfshirë dukuri të ndryshme të jashtëligjshme, pra adresimin e tyre, përfshirë këtu edhe çështjen e këtij fenomeni, sa të ri, edhe të vjetër, jo vetëm për Shqipërinë por të përhapur në vende të ndryshme të rajonit e më gjerë.
Jam thirrur në interpelancë, është detyrim ligjor për t’u përgjigjur, ndonëse ligji po ashtu më detyron as mos të ekspozohem ndaj informacioneve me karakter operacional, as të mos bëj publike një informacion të tillë, që vjen pikërisht për shkak të funksionit në momente të caktuara, pikërisht kur bëhet fjalë për autorizimin e përgjimeve parandaluese. Kjo dmth që jam në dijeni të veprimeve që po merren së fundmi nga Policia e Shtetit lidhur me këtë fenomen, janë bërë publike disa prej tyre, edhe për mediat.
Unë reagova me një gjest, për vetë faktin se nuk bie dakord që të gjitha operacionet që ju thatë, janë realizuar vetëm nga partnerët apo vetëm me indicie nga partnerët. Edhe nëse janë realizuar operacionet me partnerët, kjo është tregues i besimit, që ata kanë për strukturat e Policisë së Shtetit e partnerët, pa dyshim këtë do ta bëjnë së pari, me kolegët e tyre të Policisë së Shtetit në Shqipëri. Sigurisht Policia i referon më pas në organin e akuzës.
Unë mund të përmend, për aq sa mund të jetë informacion i hapur për publikun lidhur me çfarë është realizuar deri tani.
Në qenien time si funksionar i shtetit dhe si Ministër i Punëve të Brendshme, nuk ka pasur e nuk do të ketë kurrfarë tolerance ndaj çdo paligjshmërie. E kur të ketë raste që provohet se janë punonjës policie të përfshirë, padyshim, në çdo dukuri kriminale, pasi pjesë e shoqërisë janë edhe punonjësit e Policisë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm të mos barazojmë raste sporadike, duke i përgjithësuar ato e të vëmë një njollë që nuk është e drejtë dhe ndershme, t’ia vëmë në kurriz gjithë Policisë së Shtetit.
Kjo është shumë e nevojshme për ruajtjen e besimit publik te Policia e Shtetit. Askush nuk fiton nëse i vemë një damkë mbi Policinë, qoftë edhe kur ka raste individuale sporadike personash që mund të abuzojnë, ashtu siç mund të abuzojë dikush në funksione të ndryshme në administratë, në këtë sallë të parlamentit. Por kjo nuk do të thotë të vihet në dyshim gjithë vullneti i sovranit, i popullit për këtë sallë!
Lidhur me gjendjen e materialeve procedurale të referuara, mund të them se janë plot 84 të tilla, deri në këtë moment që flasim, pra të referuara nga Policia e Shtetit, pikërisht për çështjen e goditjes së mashtrimit kompjuterik përmes ‘Call Center’-ave.
Në fokus të strukturave të krimit kibernetik dhe atyre të krimit ekonomik, duke ndjekur edhe një plan masash për konstatimin e rasteve në territor, jo vetëm në Tiranë, por kudo tjetër, keni parë edhe përmes medias, operacionet që janë realizuar nga Policia e Shtetit edhe në qytete të tjera.
U përmend bashkëpunimi me vendet e tjera sigurisht që ka qenë. Më i fundit, operacioni “Ghost call”, i realizuar në bashkëpunim me partnerët austriakë, por edhe në komunikim me Europol dhe Eurojust. Sigurisht një operacion kompleks dhe është materializuar me rezultate konkrete. Grupi kriminal i dyshuar kishte shkaktuar mbi 50 milionë euro dëme financiare ndaj shtetasve të ndryshëm në vende të BE, të dhëna që konfirmohen edhe nga partnerët. Aksioni u zhvillua në Tiranë dhe çoi në arrestimin e 10 shtetasve dhe sekuestrimin e mbi 890 mijë eurove cash, qindra kompjuterëve e celularëve, pajisje elektronike që vijojnë t’i nënshtrohen edhe në këto momente që flasim, ekzaminimit forensik nga Instituti i Policisë Shkencore.
Sigurisht bashkëpunimi ka qenë edhe me SPAK e prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm edhe në rastet kur këto dukuri janë konstatuar në mënyrë sporadike në qytete të tjera.
Dua të theksoj se Policia e Shtetit, – e ky ishte reagimi im teksa ju po flisnit, pa dashur t’ju ndërprisja, – por fakt është se ajo nuk ka vepruar vetëm mbi bazë të asaj se çfarë kanë sjellë partnerët, megjithëse e vlerësojmë bashkëpunimin me partnerët, nga ana tjetër është fakt që Policia ka vepruar mbi bazë të kallëzimeve dhe indicieve që ajo ka mbledhur, edhe nga informacioni operativ, inteligjenca policore, përfshirë informacionin e ndarë nga partnerët, qoftë në kuptimin bilateral, por edhe atë të koordinuar përmes Europol.
Format e përdorura të këtij aktiviteti kriminal kanë të bëjnë me mashtrimin e qytetarëve qoftë përmes investimeve të rreme online, kriptovalutave dhe platformave financiare fiktive.
Edhe në këto momente që flasim Policia e Shtetit po i ndjek këto raste, si ato të bëra publike, por edhe të tjera, mbi bazë indiciesh, por edhe informacionesh të mbledhura si nga strukturat operative të Policisë, po ashtu edhe nga qytetarët të cilët janë në dijeni të ushtrimit të funksionit në mënyrë të paligjshme të këtyre qendrave, përfshi edhe lojërat e fatit të paligjshme, që po ndiqen nga Policia e Shtetit në komunikim edhe me partnerët.
Policia e Shtetit gëzon besimin e parterëve, qoftë në nivel dypalësh, përmenda Austrinë pak më herët, por bashkëpunimi ka qenë edhe me autoritetet italiane e ato gjermane, e dua të theksoj se ajo që është prioritet për Policinë e Shtetit është të ndjekë atë plan masash oparacional me qëllim evidentimin, gjurmimin, hetimin, goditje dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre elementëve që shfrytëzojnë këtë veprimtari të paligjshme për interesa kriminale.
