Bournemouth e ka pezulluar mbrojtësin anësor, Alex Jimenez, ndërsa po hetojnë postimet kontroverse në mediat sociale. Prandaj, spanjolli 21-vjeçar nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së shtunës në Ligën Premier kundër Fulhamit.
Klubi anglez lëshoi një deklaratë zyrtare duke deklaruar se janë në dijeni të situatës duke e pezulluar Jimenezin.
“AFC Bournemouth është në dijeni të postimeve që qarkullojnë në rrjetet sociale, të cilat kanë të bëjnë me mbrojtësin e djathtë Alex Jimenez. Klubi e kupton seriozitetin e situatës dhe aktualisht po hetohet”.
“Si rezultat, Alex nuk do të jetë në skuadër për ndeshjen e nesërme të Ligës Premier kundër Fulhamit, dhe klubi nuk do të bëjë komente të mëtejshme në këtë kohë”, thuhet në njoftimin e Bournemouthit.
Për çfarë bëhet fjalë?
Jimenez është nën hetim për dyshimin se i ka dërguar mesazhe një vajze 15-vjeçare. Një korrespondencë e dyshuar po qarkullon në mediat sociale, në të cilën Jimenez i thotë vajzës, ndër të tjera, se “i pëlqejnë vajzat më të vogla” dhe se “nuk ka qenë kurrë me një 15-vjeçare”.
Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar nëse këto mesazhe janë të vërteta dhe nëse Jimenez i ka dërguar ato në të vërtetë.
Nga Milani në Bournemouth
Jimenez iu bashkua Bournemouth nga Milani verën e kaluar, fillimisht në formë huazimi.
Klubi i bregdetit jugor bleu kontratën e tij në shkurt, me spanjollin e ri që nënshkroi një marrëveshje deri në vitin 2031.
Ai ka bërë 32 paraqitje për Bournemouth këtë sezon, duke shënuar një herë, në një fitore 3-2 në shtëpi kundër Liverpoolit. /Telegrafi/
