TIRANË– Zyrtarisht, nuk do të ketë zgjedhje për kryetar në PD. Kryesia e partisë miratoi vendimin që Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm më 23 maj. Emrat e tjerë që u ofruan si kandidatura u përjashtuan nga gara, për ta lënë Berishën të vetëm në zgjedhje pa rivalë.
Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” tha se kjo që po ndodh në Partinë Demokratike është qesharake. Ai theksoi se PD vetë qytetarët e kanë refuzuar, ndërsa shtoi se Sali Berisha i ka shkaktuar dëm të madh Shqipërisë.
“Saliu e ka shumë përzemërt që ta krahasosh me Enver Hoxhën. Janë dy kohë, në dy kohë janë dy gjëra, dy mundësi dhe dy gjera. Enveri jetoi kohën e vet, Berisha në kohën e tij jeton kohën e Enver Hoxhës. Atë që i ka bërë Shqipërisë Sali Berisha nuk do ia kishte bërë askush, madje po të bëhej bilanci, Enver Hoxha del i fituar. PD e ka eliminuar shpirti i popullit, sepse nuk e do më. Saliu është i vetmi kandidat, është shumë qesharake. Si mund t’i besohet kësaj partie?”, tha ai.
Ndërkohë, me shumicë dërrmuese, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton sot raportin për Shqipërinë dhe progresin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e integrimit. Votat pro ishin 57 dhe tani pritet edhe një votim formal në Parlament brenda muajit korrik.
Pas Komisionit Europian, Parlamenti është institucioni i dytë i rëndësishëm i Unionit që zyrtarizon progresin e Shqipërisë, të cilën kreu i Komisionit, McAllister, e quajti “vrapuesin kryesor” drejt integrimit, së bashku me Malin e Zi. Hallka e fundit tani është miratimi në Këshillin Politik Europian.
Për këtë çështje, Çupi u shpreh se çdo përparim i Shqipërisë drejt Evropës është një lajm i keq për Partinë Demokratike, e cila sipas tij, është kundër rrugëtimit të vendit drejt familjes europiane.
“Evropa avokate për integrimin e Shqipërisë. Çdo përparim që ndodh në Evropë në drejtim të Shqipërisë, është një lajm i keq për të. kanë vendosur që me 8 maj, një ditë përpara Ditës së Evropës, të djegin vendin”, tha ai./abcnews.al
