Autoritetet zvicerane konfirmuan të mërkurën një rast të ri me hantavirus të identifikuar në një pasagjer nga anija turistike MV Hondius.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar tetë raste të pasagjerëve nga anija, duke përfshirë tre vdekje, një pacient në gjendje kritike dhe tre individë që raportojnë simptoma të lehta.
Ndërsa origjina e saktë e rasteve është ende duke u hetuar, OBSH-ja ka konfirmuar se ky është varianti i hantavirusit të Andeve, i cili është ngjitës midis njerëzve, transmeton Telegrafi.
“Ne besojmë se mund të ketë një transmetim nga njeriu te njeriu që po ndodh midis kontakteve shumë të ngushta, burrit dhe gruas, njerëzve që kanë ndarë kabina”, tha Maria Van Kerkhove, drejtoreshë e Përgatitjes dhe Parandalimit Epidemik dhe Pandemik në OBSH.
Anija, e prekur nga një shpërthim i hantavirusit në bord, aktualisht është e ankoruar në Praia, kryeqyteti i Kepit të Gjelbër. Anija pritet të ankorohet në Tenerife pas tre ditësh.
Megjithatë, presidenti i Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, hodhi poshtë të mërkurën vendimin e qeverisë spanjolle për të sjellë anijen turistike MV Hondius në arkipelag.
Sekretari i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka deklaruar se bazuar në informacionin aktual, organizata ndërkombëtare “vlerëson se rreziku për popullatën e përgjithshme është i ulët”.
Shumica e hantaviruseve nuk transmetohen drejtpërdrejt nga personi në person. Përjashtim bën lloji i virusit të Andeve, i gjetur kryesisht në pjesë të Amerikës së Jugut, i cili është treguar se përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. /Telegrafi/
