Ishin të lodhur edhe pse ishte momenti për të kremtuar. Futbollistët e Interit nuk u dhanë dot fitoren mbi 75 000 tifozëve në stadiumin mitik “San Siro” të Milanos, por gjithsesi asgjë nuk mund ta prishte këtë ditë.
Zikaltërit luanin ndaj Veronës ndeshjen e fundit në shtëpi të këtij sezoni në Serinë A, dhe ishte koha për të ngritur trofeun dhe për të dalë me autobus në rrugët e kryeqendrës së Lombardisë.
Të rraskapitur pas një edicioni shumë të gjatë, dhe pas finales së Kupës së Italisë të fituar në mesjavë ndaj Lacios në Romë, yjet vendas nuk shkuan dot më shumë se barazimi 1-1 ndaj një kundërshtari që kishte rënë që më parë në Serinë B.
Në një përballje të hapur, me më shumë gjuajtje në portë nga miqtë, por me Interin që mbajti topin 75 për qind, trajneri Kristian Kivu kishte bërë ndryshime në formacion.
Titullarë ishin Açerbi, De Vraj, Karlos Augusto, Darmian, Diuf, Luis Enrike dhe Boni, e disa prej tyre dhanë edhe lamtumirën ndaj tifozëve dhe fanelës zikaltër.
Të dy golat I shënuan miqtë, autogol nga Edmundson në fund të pjesës së parë, dhe barazim nga Boui në 90’. Më pas erdhi ceremonia në qendër të fushës së “San Siros” me ngritjen e “skudetos”.
Itinerari vazhdoi me skuadrën të ngjitur në autobusin e hapur me dy kate të stilit anglez, nëpër rrugët e Milanos, dhe në Sheshin Duomo. Interi është në krye të Serisë A me 86 pikë në 37 ndeshje, 13 më shumë se Napoli, ndërsa Verona është e rëndë, në vendin e parafundit me vetëm 21 pikë./abcnews.al
