Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar se Izraeli është i gatshëm të rifillojë luftën kundër Iranit, duke theksuar se objektivat tashmë janë të përcaktuara.
Sipas tij, vendi po pret një “dritë jeshile” nga Shtetet e Bashkuara për të vazhduar veprimet ushtarake, shkruan timesofisrael.
Sipas deklaratës së ministrit, sulmet do të synonin “eliminimin e dinastisë Khamenei” dhe goditjen e strukturave udhëheqëse të regjimit iranian.
Katz shtoi se një tjetër objektiv do të ishte edhe dobësimi i kapaciteteve strategjike të Iranit, përmes shkatërrimit të infrastrukturës së energjisë dhe elektricitetit, si dhe goditjes së ekonomisë së vendit, duke e “kthyer prapa në një epokë të errët”, sipas tij.
Ai shton se “këtë herë sulmi do të jetë i ndryshëm dhe vdekjeprurës dhe do të shtojë goditje shkatërruese në vendet më të dhimbshme, pas goditjeve të mëdha që regjimi terrorist iranian ka pësuar deri më tani, të cilat do të trondisin dhe shembin themelet e tij”.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Izraelit dhe Iranit, ndërsa nuk ka ende reagim zyrtar nga Teherani apo nga Shtëpia e Bardhë lidhur me këto pretendime.
Ndryshe, SHBA-ja dhe Irani kanë vazhduar armëpushimin pa afat të caktuar pas atij prej dy javësh. /Telegrafi/
