E premte, 15 Maj 2026
Lajme

Ja nga çka vuan miku më i mirë i njeriut

Qente

Miku më i mirë i njeriut mund të jetë më i stresuar nga sa mendohej. Një studim i ri ka zbuluar se shumica dërrmuese e qenve shfaqin shenja ankthi ose frike në situata të përditshme.

Studiues nga Texas A&M College of Veterinary Medicine and Biomedical Sciences analizuan sjelljen e më shumë se 43 mijë qenve dhe arritën në përfundimin se mbi 84 për qind e tyre shfaqin të paktën shenja të lehta frike ose ankthi.

Sipas ekspertëve, shenjat që tregojnë se një qen është i shqetësuar përfshijnë rënkimin, ulërimën e lehtë, ngrirjen në vend, dridhjet, përpjekjet për t’u fshehur ose për t’u larguar. Qeni mund të ulet poshtë, të tkurret ose të mbajë bishtin mes këmbëve.

“Këto janë sjellje që shumica e pronarëve i kanë parë të paktën një herë”, tha Dr. Bonnie Beaver, autorja e studimit. “Ajo që tregon ky hulumtim është se sa të zakonshme janë këto reagime dhe sa e rëndësishme është t’u kushtojmë vëmendje.”

Ashtu si njerëzit, edhe qentë mund të përjetojnë frikë dhe ankth. Studiuesit shpjegojnë se këto emocione mund të lidhen me situata të ndryshme që qeni i percepton si kërcënuese. Në shumicën e rasteve, ankthi është afatshkurtër dhe zgjat minuta ose orë. Por kur bëhet i përsëritur dhe zgjat për periudha të gjata, ai mund të ndikojë negativisht në shëndetin e kafshës.

Për të kuptuar përhapjen e këtij problemi, studiuesit analizuan të dhënat e 43,517 qenve të përfshirë në “Dog Aging Project”. Pro

Qente 1

Fillimisht, rezultatet treguan se 91 për qind e qenve shfaqnin të paktën shenja të lehta frike ose ankthi. Por kur studiuesit përjashtuan situata si prerja e thonjve dhe larja, të cilat konsiderohen frika të mësuara, përqindja ra në 84 për qind.

Shkaktarët më të zakonshëm ishin njerëzit e panjohur, qentë e panjohur, zhurmat, objektet e pazakonta dhe situatat e reja.

Sipas studiuesve, qentë me ankth të lehtë mund të shmangin kontaktin me sy, të qëndrojnë larg një objekti ose personi, të ulen të frikësuar, të rënkojnë, të ngrijnë në vend ose të dridhen. Në rastet më të rënda, ata mund të përpiqen me forcë të largohen, të fshihen ose të shmangin plotësisht situatën që i frikëson.

Dr. Beaver tha se ka parë qen aq të stresuar gjatë stuhive, sa kanë tentuar të përtypin mure me tulla për të hyrë në shtëpi. Sipas saj, kur ankthi arrin në atë nivel, menaxhimi bëhet shumë i vështirë.

Nëse pronarët vërejnë shenja të tilla te qeni i tyre, studiuesit këshillojnë të kërkohet ndihma e një veterineri. Pa ndërhyrje, ankthi mund të përshkallëzohet dhe në disa raste të çojë në agresivitet.

“Kur qentë vendosen vazhdimisht në situata ku nuk ndihen rehat, si ndërveprimi i detyruar me të panjohur, frika mund të rritet”, shpjegoi Dr. Beaver. “Në disa raste, mënyra e vetme që ata dinë të reagojnë është përmes agresionit.”

Ekspertët theksojnë se frika dhe ankthi nuk mund të zhduken plotësisht, por mund të njihen, monitorohen dhe trajtohen përpara se të përkeqësohen.

“Qentë, ashtu si njerëzit, do të përjetojnë frikë në situata të caktuara”, tha Dr. Beaver. “Shqetësimi nis kur kjo frikë bëhet më e vazhdueshme ose rritet me kalimin e kohës. Atëherë duhet ndërhyrë.” /GazetaExpress/

The post Ja nga çka vuan miku më i mirë i njeriut appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip