
Visar Krasniqi, anëtar joprokuror në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), në emisionin “Tempus” në T7, ka folur lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe zhvillimet e fundit mes Këshillit Prokurorial dhe Presidencës.
Ai tha se procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm, i cili sipas tij është përcjellë me shumë kritika dhe zvarritje që nga viti 2022.
“Kur flasim për këtë proces jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm, që nga viti 2022, opinioni publik shumë çështje i di, mirëpo edhe shumë tjera sonte është mirë ne me i shpalosë këtu”, tha Krasniqi.
Sipas tij, para disa ditësh Këshilli Prokurorial ka pranuar një letër nga u.d Presidentja, Albulena Haxhiu, ndërsa paralelisht janë njoftuar edhe me një letër të adresuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Qalaj.
“Ju e dini krejt në fund, para disa ditëve, ne e kemi marrë një letër nga Presidentja në detyrë dhe të njëjtën kohë ne jemi njoftu me një letër që është adresu nga zoti Qalaj, për të cilën anëtarët e Këshillit në janar të këtij viti nuk kishin qenë në dijeni për këtë letër”, tha ai.
Krasniqi tha se me këtë zhvillim përfundon, sipas tij, “pingpongu” ndërmjet Këshillit Prokurorial dhe Presidencës lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.
“Dhe rrjedhimisht këtu përfundon ai pingpongu mes Këshillit Prokurorial dhe Presidentes për me shënju kështu fundin e një procesi të stërgjatur e shumë të kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se më 26 shkurt, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kishte adresuar letër te Presidentja në emrin e tij personal.
“Më 26 shkurt, nëse mbaj mend mirë datën, e ka adresu një letër presidentes në emër të tij personal”, tha ai.
Sipas Krasniqit, një komunikim i tillë nuk është dashur të ndodhë pa trajtim institucional në Këshill.
“Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është një anëtar ex officio në Këshill, është një në mesin e të barabartëve dhe rrjedhimisht nuk është dashur të bëjë kësisoj komunikimi”, tha Krasniqi.
The post Krasniqi për procesin e Kryeprokurorit të Shtetit: Qalaj i dërgoi letër Presidentes në emrin e tij personal, kërkova të trajtohet në Këshill appeared first on Gazeta Express.
