Bashkimi Evropian po bën një gabim serioz duke mos u angazhuar drejtpërdrejt me udhëheqjen ruse për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për Politico. Për kryeministrin, Evropa po e lë veten mënjanë çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë duke shmangur angazhimin e drejtpërdrejtë me Moskën.
“Mund të them se Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke prerë çdo kanal me Rusinë. Evropa duhet të flasë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me të gjithë.”
Sipas medias me fokus ne politiken globale, vërejtjet shkojnë kundër qasjes së zyrtarëve të lartë të BE-së, të cilët kanë shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë me udhëheqësit rusë, përfshirë Presidentin Vladimir Putin, duke argumentuar se bisedime të tilla janë të pakuptimta nëse Moska është e vendosur të vazhdojë luftën e saj gjithsesi.
“Sa më shumë që e shtyjmë bisedën me Rusinë, aq më pak do të kemi të drejtë fjale në fund, sepse Rusia, sido që të përfundojë kjo luftë, Rusia nuk do të shkojë askund. Ne nuk kemi… asnjë lloj varësie nga Rusia… asnjë investim, asnjë gaz rus dhe gjëra të tjera ruse, kështu që mund ta them këtë.”
Në intervistë Rama thotë se mbështesim SHBA në luftën kundër regjimit iranian dhe se ishte i hapur për përdorimin e vendit tonë për kryerjen e operacioneve.
“Nuk është për ne të vendosim se si të veprojmë me Iranin në skenën globale, por është për ne të mbështesim çdo përpjekje për të dobësuar dhe ndoshta për të rrëzuar atë regjim. Do të lejonim ushtrinë amerikane të kryente operacione nga Shqipëria me kusht që Uashingtoni të siguronte mbrojtje ajrore, të cilën ne nuk e kemi në vend”.
Kryeministri përjashtoi deklaratat për shitjen e ishullit te Sazanit tek dhëndri i Trump por tha se është ne negociata, dhe marrëveshje nuk është mbyllur.
“Është e pabesueshme që edhe kanalet e mëdha, me reputacion të lartë në mbarë botën, flasin për një ishull që iu shit Jared Kushnerit. Nuk është e vërtetë… Nuk e di si ta çoj këtë në fund sepse nuk kemi bërë një marrëveshje me Jared Kushnerin. Po negociojmë një marrëveshje me Jared Kushnerin. Bisedimet kanë vazhduar që para mandatit të dytë të Trump, në një kohë kur nuk ishte e qartë nëse Trump do të ishte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg. Por marrëveshja nuk duhet të pengojë në asnjë mënyrë përpjekjen e Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian, një proces në të cilin, së bashku me Malin e Zi, “ne jemi në krye. Do të doja që më në fund ta arrinim marrëveshjen, sepse nëse investimi i tyre do të realizohet, do të jetë një dhuratë e bukur… për t’i bërë Evropës për bukurinë dhe për zhvillimin e qëndrueshëm”.
Jashtë vëmendjes në këtë interviste nuk u la as “ministrja e parë me inteligjencë artificiale” me emrin Diella. Rama u tha gazetarëve se po e përgatisim atë për intervista të drejtpërdrejta, si dhe për “mbledhje qeveritare”./Tv Klan
