E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Manjati mediatik i ofron kompanitë shtetit – raportohet se ka marrë 960 milionë dollarë nga qeveria e Orbanit

Image

Policia hungareze ka bërë të ditur se po heton kompanitë e një manjati mediatik, i cili gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit ka përfituar kontrata të shumta dhe me vlerë të lartë, për shkak të dyshimeve për përvetësim fondesh dhe pastrim parash.

Hetimi u bë publik të martën në mbrëmje, pasi Gyula Balasy, pronar i disa prej kompanive më të mëdha mediatike që për më shumë se dhjetë vite kanë prodhuar fushata për Orbanin, deklaroi se po ia ofron kompanitë dhe një pjesë të investimeve të tij shtetit, ndërsa Peter Magyar po merr drejtimin e qeverisë në Hungari.

“Ua kam ofruar kompanitë e mia shtetit, por jo sepse kam diçka për të fshehur apo sepse kemi bërë diçka të paligjshme,” tha Balasy, duke shtuar se llogaritë e disa kompanive të tij janë ngrirë javën e kaluar, shkruan reuters.

Image

Ndërkohë, Magyar ka deklaruar më 28 prill se autoritetet tatimore hungareze kanë bllokuar transferime të dyshimta parash jashtë vendit, të lidhura me persona të panjohur të afërt me një bashkëpunëtor të Orbanit.

Kompanitë e Balasyt kanë qenë të përfshira në hartimin e fushatës elektorale anti-Ukrainë të Orbanit, e cila zgjedhjet e prillit i paraqiti si zgjedhje mes luftës dhe paqes, si dhe më herët në fushatat anti-imigracion. Ato kanë fituar qindra kontrata nga Zyra Kombëtare për Komunikim e qeverisë Orban.

Sipas Transparency International, vetëm në periudhën 2019–2021, kompanitë e Balasyt – Lounge Design, New Land Media dhe Media Dynamics – kanë marrë kontrata shtetërore me vlerë rreth 295 miliardë forinta (afërsisht 960 milionë dollarë), kryesisht nga Zyra Kombëtare për Komunikim, e cila ka qenë një nga strukturat kryesore në fushatat elektorale të Orbanit. /Telegrafi/

InfoShqip