
Tensioni në Real Madrid po arrijnë një pikë kritike në këtë fund sezoni. Dhe shembulli i atmosferës së keqe që po mbizotëron në skuadrën madrilene u pa edhe në stërvitjen e sotme.
Sipas raportimeve të MARCA-s, Fede Valverde dhe Aurélien Tchouaméni pothuajse kanë ardhur deri te përleshja fizike pas një debati të ashpër, që pasqyron përkeqësimin e brendshëm në dhomat e zhveshjes së Real Madridit.
Gjithçka ka nisur nga një situatë loje, një faull që ka shkaktuar një nga momentet më të tensionuara të kujtuara në Valdebebas. Dy lojtarët janë përballur, janë shtyrë dhe kanë vazhduar një debat të fortë që më pas ka vijuar edhe në dhomat e zhveshjes. Incidenti është përhapur shpejt brenda kampit stërvitor.
Skuadra po kalon një nga periudhat më të vështira të sezonit, pa shanse reale për trofe dhe me një klimë gjithnjë e më të ndarë brenda grupit. Diferencat mes lojtarëve janë të dukshme dhe disa prej tyre thuajse nuk mbajnë më marrëdhënie mes vete. Po ashtu, bashkëjetesa me Álvaro Arbeloa nuk është e lehtë, në një situatë ku presioni dhe lodhja kanë shpërthyer, deri në atë pikë sa disa lojtarë nuk i flasin fare.
Kësaj situate i shtohet edhe incidenti i kësaj jave mes Antonio Rüdiger dhe Álvaro Carreras, i konfirmuar nga vetë lojtari spanjoll. Edhe pse publikisht u tentua të minimizohej ngjarja si një episod i vogël, brenda ekipit atmosfera mbetet e tensionuar dhe lodhja emocionale është e dukshme.
Problemi për Real Madridin është se kjo klimë e rënduar, së bashku me përplasjen Valverde–Tchouaméni, vjen pak ditë para një ndeshjeje shumë të rëndësishme. Të dielën luhet “El Clásico” në Barcelonë, një sfidë që mund të vulosë fatin e sezonit. FC Barcelona i mjafton vetëm një pikë për t’u shpallur kampion, një skenar që do të ishte fundi më i keq i mundshëm për Real Madridin në një sezon të mbushur me tension, lodhje dhe përçarje të brendshme.
The post Marca: Valverde dhe Tchouameni afër përleshjes në zhveshtore appeared first on Gazeta Express.
