E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Meloni priti Magyarin në Romë – diskutuan edhe për Ballkanin Perëndimor

Image

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, në Romë ka pritur kryeministrin e ardhshëm të Hungarisë, Peter Magyar, ndërsa sipas tij, tema e bisedimeve ka përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Siç ka bërë të ditur në profilin e tij në rrjetin social X, Magyar dhe Meloni kanë theksuar shumë fusha në të cilat Hungaria dhe Italia mund të bashkëpunojnë.

“U pajtuam se Italia dhe Hungaria janë të harmonizuara ngushtë në shumë çështje — nga lufta e vendosur kundër migracionit të paligjshëm, te anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, deri te forcimi i konkurrueshmërisë së shteteve anëtare”, ka shkruar Magyar.

Ai shtoi gjithashtu se e ka ftuar Melonin të vizitojë Budapestin.

“E ftova kryeministren të vizitojë Hungarinë, dhe u pajtuam edhe për mbështetjen e bashkëpunimit investues midis Italisë dhe Hungarisë, si dhe për përfundimin sa më të shpejtë të qendrës logjistike hungareze në Trieste”, tha kryeministri i ardhshëm i Hungarisë.

Ai e përmbylli mesazhin në X me porosinë se miqësia mes Hungarisë dhe Italisë duhet të jetë e përjetshme.

Ndryshe, Magyar ka korr fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare hungareze kundër kryeministrit në largim, Viktor Orban. /Telegrafi/

InfoShqip