E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Kush është dhe çfarë bën njeriu për të cilin po flet sot e gjithë bota e futbollit? Rasti “Bayern–PSG” e bëri edhe më të famshëm

Image

Pas një spektakli me nëntë gola në ndeshjen e parë, dueli i kthimit gjysmëfinal i Ligës së Kampionëve mes Bayern Munich dhe PSG-së u prit me interes të jashtëzakonshëm.

Ndeshja në “Allianz Arena” ishte më e matur dhe më e kujdesshme, siç pritej, ndërsa parisienët e ruajtën avantazhin e krijuar në takimin e parë dhe u kualifikuan në finalen e dytë radhazi, pas një barazimi në Mynih.

Por, si zakonisht në përballje të këtij niveli, vëmendja pas ndeshjes u zhvendos edhe te gjyqtari – dhe këtë herë, emri më i përfolur ishte portugezi Joao Pinheiro.

Penalltia e kërkuar në minutën e 31-të: Pse nuk reagoi as gjyqtari, e as VAR-i?

Momenti më i diskutuar ndodhi në minutën e 31-të. Pas një pritjeje të portierit Matvey Safonov ndaj një goditjeje nga distanca, Vitinha tentoi ta largojë topin nga zona e rrezikut, por në atë veprim e goditi pa dashje shokun e skuadrës, Joao Neves, në krah.

Lojtarët e Bayernit protestuan ashpër dhe kërkuan penallti, por Pinheiro e la lojën të vazhdojë, ndërsa edhe VAR-i nuk e thirri për rishikim.

Arsyeja lidhet me interpretimin e rregullave të IFAB-it (Bordi Ndërkombëtar i Shoqatës së Futbollit). Sipas rregullave, prekja me dorë nuk konsiderohet shkelje e dënueshme në rastin kur një lojtar goditet në dorë/krah nga topi i luajtur nga një shok skuadre, përveç nëse topi shkon direkt në portën e kundërshtarit ose shënohet gol menjëherë pas asaj prekjeje.

Në këtë situatë, nuk u plotësuan kushtet për penallti, ndaj vendimi i Pinheiros vlerësohet si i saktë në bazë të rregullores – pavarësisht polemikave.

Image

Një tjetër episod konfuz: Kartoni i dytë për Mendes, por topi për PSG-në

Një tjetër situatë që ngjalli reagime ndodhi disa minuta më herët, kur Nuno Mendes u ndëshkua me karton të verdhë pas një prekjeje me dorë, por loja vazhdoi në mënyrë që u duk e paqartë për shumë tifozë.

Sipas shpjegimit të raportuar nga L’Equipe, arsyeja ishte se në fillimin e aksionit, i pari që kishte prekur topin me dorë kishte qenë Konrad Laimer i Bayernit – një detaj që nuk u pa qartë në transmetimin televiziv.

Image

Pse Pinheiro i njeh “detajet” e rregullores? Sepse është edhe avokat

Teksa emri i tij u bë temë kryesore pas ndeshjes, vëmendje mori edhe biografia e Pinheiros. Para se të bëhej gjyqtar profesionist, ai ka përfunduar Fakultetin e Drejtësisë dhe, sipas të dhënave publike, vazhdon të punojë edhe si avokat në Portugali, duke e kombinuar profesionin ligjor me gjykimin e ndeshjeve të futbollit.

Pinheiro ka nisur të gjykojë në vitin 2003, fillimisht si hobi gjatë studimeve. Në vitin 2016 u bë gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s, ndërsa karriera e tij në UEFA mori hov kur u promovua në kategorinë e parë para sezonit 2021/22.

Kulmi i avancimit erdhi në dhjetor 2024, kur u fut në kategorinë elitare të gjyqtarëve të UEFA-s.

Ai ishte edhe gjyqtari i katërt në finalen e sezonit të kaluar të Ligës së Kampionëve, ndërsa një nga ndeshjet më të mëdha që ka drejtuar deri tani përmendet edhe finalja e Superkupës së UEFA-s të këtij sezoni mes PSG-së dhe Tottenhamit (që u vendos me penallti).

Image

Në fund, pavarësisht kritikave dhe debatit publik, interpretimi i rregullave sugjeron se në situatën kryesore – atë të minutës së 31-të – Pinheiro nuk gaboi, dhe PSG tani ka mundësinë ta mbrojë titullin evropian në finalen e madhe ndaj Arsenalit në Budapest. /Telegrafi/

InfoShqip