E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

“Në fund të ‘95, Berisha tentoi të merrte PS”/ Minxhozi: Servet Pëllumbi mbajti në këmbë PS-në në vitet më të vështira

Analisti Skënder Minxhozi ka vlerësuar figurën dhe rolin politik të Servet Pëllumbit gjatë viteve të para të pluralizmit në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një nga njerëzit kyç që mbajti në këmbë Partinë Socialiste në një periudhë të vështirë politike dhe institucionale.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se Pëllumbi nuk ishte pjesë e lojërave të kulisave politike, por preferoi të ruante profilin institucional dhe intelektual.

“Dalja e Servet Pëllumbit nga skena politike ishte ndër më dinjitozet”, tha Minxhozi, duke shtuar se në vitet e mëvonshme ai mbeti më shumë një autoritet moral dhe shpirtëror për Partinë Socialiste.

“Mendoj që roli madhor i Servet Pëllumbit është kur janë vënë prangat kryetarit të PS. Ndoshta kjo shënoi fatin edhe të Nanos, që nga korriku i ’93 PS ndodhej në zbaticë në raport me faktorin ndërkombëtar, ishte edhe në një vijë të kuqe me amerikanët e europianët. Servet Pëlumbi mabjti në këmbë në mungesë të kryetarit në parti që fitoi referendumi kushtetues në ’94. Mbajti një opozitë në kushtet e një dekade të çmendur. Një klimë terrori. Vetëm një sistem nervor stabël dhe nerva çeliku sa Servet Pëllumbi dhe disa bashkëpunëtorë të tij mund të mbanin në këmbë një parti që kishte shumë vështirësi përpara. Roli i Servet Pëllumbit ka qenë i rëndësishëm ishte figurë që i përkiste më shumë kabinetit të studiuesit. Ishte një antipod total i Sali Berishës, por edhe i Fatos Nanos në stile të tjera. Pluralizmi në Shqipëri, filloi me burgosjen e kreut të opozitës. Servet Pëllumbi me bashkëpunëtorë të tij, mundën që në mungesë të Nanos deri në daljen nga burgu, të mbanin në këmbë një parti që më pas u vërtetua që edhe ishte favorizuar. Mbetem tek vitet ’90 që ishin më vendimtare, dhe më vonë ai ka qenë një autoritet më shumë shpirtëror dhe si të thuash moral i partisë se sa një politikan i vendimmarrjes. Por e pa që loja mes Nanos dhe Berishës do të vijonte edhe në terma të tjera, dhe u vërtetua. Ai nuk ishte i atyre kulisave dhe u mundua të mbajë një post që ishte për atë, postin e Kryetarit të Kuvendit. Por dalja e Servet Pëllumbit nga skena ishte nga më dinjitozet”, tha ai.

/abcnews.al/

InfoShqip