Ka raportime se Max Allegri nuk do të qëndrojë, ndaj Milani mund të hedhë sytë nga ish-trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ose nga tekniku i Bolognas, Vincenzo Italiano, por njëri prej tyre pritet të përfundojë te Chelsea.
Tensioni po rritet prapa skenave, pasi një seri rezultatesh zhgënjyese e ka vënë në rrezik kualifikimin në Ligën e Kampionëve, në prag të tri xhirove të fundit të sezonit në Serie A.
Gazetari dhe komentatori i njohur i Milanit, Carlo Pellegatti, ka deklaruar në kanalin e tij në YouTube se Allegri është përplasur me CEO-n, Giorgio Furlani, dhe nuk do të ketë edhe një sezon tjetër me të në krye.
Kjo sepse, sipas thashethemeve, “Rossonerët” kanë afruar lojtarë që Allegri thjesht nuk i ka dashur si pjesë të skuadrës së tij.
Nëse trajneri do të largohej vetë apo do të shkarkohej, atëherë Furlani do të kthehej te kandidatët e tjerë dhe, sipas burimit, klubi tashmë ka nisur t’i shqyrtojë opsionet.
Zgjedhja ideale do të ishte Xabi Alonso, i cili pati sukses te Bayer Leverkusen dhe u shkarkua nga Real Madridi në janar, vetëm 34 ndeshje pas emërimit të tij.
Megjithatë, i njëjti burim këmbëngul se Alonso tashmë ndodhet në negociata të avancuara me Chelsean, klub që po kalon periudhë të vështirë.
Si alternativë më e mundshme për Milanin shihet Vincenzo Italiano, i cili duket se ka arritur një “plato” te Bologna, pas suksesit të sezonit të kaluar kur e mposhti Milanin në finalen e Kupës së Italisë.
Italiano ishte konsideruar edhe më parë për stolin e “Rossonerëve” përpara se Milani ta emëronte Allegrin./Telegrafi/
