E premte, 08 Maj 2026
Lajme

“Mos i tregoni çdo gjë ChatGPT-së!”/ Paralajmërimi i fortë i ekspertes shqiptare: AI po na manipulon më shumë seç mendojmë?

Nga një e-mail i thjeshtë, tek idetë për biznes, detyrat e shkollës apo edhe këshillat personale… Inteligjenca Artificiale është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Por a e dimë realisht se çfarë po i tregojmë dhe sa mund t’i besojmë?

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Anisa Berisha, specialiste në qeverisjen e Inteligjencës Artificiale dhe themeluese e COA, ComplyOn AI, foli pa filtra për anën që shumë njerëz nuk e shohin tek ChatGPT dhe platformat e tjera të AI. Sipas saj, problemi më i madh është se njerëzit po krijojnë një besim të verbër ndaj teknologjisë.

“AI nuk mendon si njeriu. Nuk ka ndjenja, ndërgjegje apo logjikë njerëzore. Ajo thjesht analizon miliarda të dhëna dhe parashikon përgjigjen që duket më e mundshme. Për këtë arsye, ndonjëherë mund edhe të shpikë fakte apo të japë informacion të pasaktë”, shpjegon Berisha.

Dhe ndërsa gjithnjë e më shumë persona përdorin ChatGPT për çdo gjë, nga puna tek problemet personale, ekspertët paralajmërojnë: kujdes me informacionin që ndani.
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë që aty po hedhin të dhëna personale, biseda private, dokumente pune apo informacione konfidenciale. Ekziston gjithmonë rreziku i rrjedhjes apo keqpërdorimit të tyre”, thotë ajo.

Por frika më e madhe lidhet me manipulimin. Video false, lajme të rreme, montazhe perfekte, propagandë politike… të gjitha tashmë mund të krijohen nga Inteligjenca Artificiale brenda pak minutash.

“Ka raste kur AI mund të krijojë profile të rreme, të manipulojë opinionin publik apo të përdoret për mashtrime shumë të sofistikuara. Teknologjia po ecën shumë më shpejt se sa ligjet dhe mbrojtja që kemi sot”, paralajmëron specialistja.

Një tjetër temë delikate janë fëmijët. Nga njëra anë, AI mund të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme në mësim dhe shpjegimin e koncepteve të vështira. Por nga ana tjetër, ekziston rreziku që fëmijët të mos mendojnë më vetë.

“Nëse përdoret pa kontroll, AI mund t’i bëjë fëmijët më dembelë në të menduar, më pak kreativë dhe më të varur nga përgjigjet e gatshme”, shprehet Berisha.
Vetëm pak ditë më parë, ajo mori pjesë në konferencën e OKB-së në Gjenevë për qeverisjen globale të Inteligjencës Artificiale, ku ngriti shqetësimin për mungesën e Ballkanit Perëndimor në tryezat ku po vendosen rregullat e së ardhmes.

“Kur nuk je në tavolinën ku merren vendimet, rrezikon të mbetesh thjesht zbatues i rregullave të të tjerëve”, thotë ajo.

Ndërkohë që Europa po vendos ligje gjithnjë e më të forta për AI, Shqipëria mbetet ende në fazat e para të rregullimit të kësaj teknologjie që po ndryshon botën me shpejtësi marramendëse./abcnews.al

InfoShqip