E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

“Negociatat me frymë bashkëpunimi”, Malaj: Mbyllja e kapitujve të BE duhet të nisë këtë vit, anëtarësimi në 2030 objektiv real

Capture 50 800x364

Deputeti socialist Erion Malaj, një nga negociatorët e mazhorancës për draft-rezolutën e integrimit europian, ka zbuluar detaje nga arritja e konsensusit mes palëve politike për dokumentin që u miratua në Kuvend.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zilin, Malaj u shpreh se rezoluta ishte rezultat i një pune të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, me synimin për të dhënë një mesazh uniteti për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sipas tij, negociatat janë zhvilluar në frymë bashkëpunimi dhe me vullnet të plotë për të arritur dakordësi.

Ai theksoi se rezoluta përmban jo vetëm vlerësimin për arritjet e deritanishme, por edhe angazhimet konkrete që duhet të ndërmarrin Kuvendi dhe qeveria për të përmbushur standardet dhe rekomandimet e Bashkimit Europian.

Sa i përket pretendimeve të opozitës për një bllokim të procesit në Bruksel, Malaj deklaroi se nuk ekziston asnjë ngërç dhe se negociatat po vijojnë normalisht. Sipas tij, Shqipëria ndodhet brenda afateve dhe ka marrë sinjale pozitive nga Bashkimi Europian.

Deputeti socialist u shpreh gjithashtu optimist se mbyllja e kapitujve të parë të negociatave mund të nisë brenda këtij viti, edhe pse pranoi se ky proces do të jetë më i vështirë se hapja e tyre dhe do të kërkojë sakrifica si nga politika, ashtu edhe nga qytetarët.

Malaj theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 mbetet një objektiv real dhe i panegociueshëm për mazhorancën.

INTERVISTA E PLOTË:

Ju ishit një nga negociatorët e shumicës për hartimin e draft të rezolutës që tashmë është miratuar. Mund ta zbuloni diçka më shumë si arritët tek ky dokument konsensual?

Erion Malaj: Ishte një punë e përbashkët pa dashur t’i shtoj apo t’i heq askujt. Të dyja palët patjetër që kishim një qëllim madhor që ishte hartimi i një projekt rezolute ku prekeshin qoftë arritjet që janë bërë deri tani, por qoftë edhe sfidat që e dimë që i kemi përpara. Kjo u bë në mënyrë që të jepnim një mesazh të mirëfilltë si politikëbërës, si dy krahë të kundërt politikë, por që kemi në fund të ditës një qëllim të përbashkët që është ai i integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Negociatat ishin absolutisht me frymën e bashkëpunimit gjatë gjithë kohës, aty ku ka vullnet dhe dëshirë, patjetër që arrihet një konsensus.

Çfarë duhet të presim tani pas kalimit të kësaj rezolute për integrimin? Pra konkretisht si do bashkëpunoni?

Erion Malaj: Tani ajo që del nga kjo projekt rezolutë pikë së pari është një marrje angazhimi nga Kuvendi që të ndërmarrë disa hapa të caktuar konkretë. Njëkohësisht Kuvendi i kërkon angazhim edhe Këshillit të Ministrave që të marrë gjithë përgjegjësitë e tij dhe të ndjekë të gjithë atë proces të rëndësishëm duke respektuar standardet e Bashkimit Europian dhe gjithçka që na rekomandohet në raportet e ndryshme. Të gjitha palët kërkojnë angazhimin për të arritur objektivat për të cilat kemi rënë dakord me Bashkimin Europian brenda një afati të caktuar.

Ndërkohë opozita thotë se ka bllokim të procesit në Bruksel, ndërsa qeveria thotë jo. Ju çfarë mund të thoni më shumë për ecurinë e negociatave në Bruksel, konkretisht për raportin iBAR?

Erion Malaj: Mendoj që nuk ka asnjë bllokim. Ju siguroj që nuk ka asnjë ngërç, i japim kohë kohës dhe shumë shpejt do të shikoni që procesi është duke vijuar normalisht. Ne jemi brenda të gjithë afateve dhe feedback-u i Bashkimit Europian është pozitiv. Atje ku ka rekomandime, të gjithë jemi të gatshëm të veprojmë për të përmirësuar proceset.

A mund të kemi një afat se kur pritet të nisë mbyllja e kapitujve?

Erion Malaj: Mbyllja e kapitujve duhet të nisë këtë vit. Ky është synimi dhe objektivi. Është një moment shumë i vështirë, pasi mbyllja është proces akoma edhe më i vështirë se çelja e tyre, do të kërkojë kohë dhe do jetë një periudhë sakrifice jo vetëm për politikën, por sigurisht edhe për qytetarët shqiptarë.

Nëse palët bëhen bashkë për integrimin sikundër dëshmuat edhe sot me vota, a mund të themi se anëtarësimi në 2030-ën është një objektiv real?

Erion Malaj: Objektivi është real. Ky është një objektiv i panegociueshëm për ne si mazhorancë, sepse na kanë dhënë mandatet qytetarët shqiptarë për këtë gjë. Qëndrimi bashkë me opozitën është një tregues i madh edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët do kuptojnë që politika shqiptare u ngrit në nivelin e duhur në raport me rëndësinë e kësaj çështjeje.

/vizionplus.tv

InfoShqip