E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Operacion i madh në Stamboll – 29 të arrestuar për manipulim të tenderëve publikë, “bashkëpunëtorë” të Imamoglut

Image

Në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ndaj asaj që e quan “organizatë kriminale për përfitim të drejtuar nga kryebashkiaku, Ekrem İmamoğlu”, janë arrestuar 29 persona nën dyshimet për manipulim të procedurave të tenderimit publik.

Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, hetimet lidhen me veprimtari të dyshuara të një strukture kriminale të organizuar, e cila dyshohet se ka funksionuar përmes kompanisë Agaç ve Peyzaj A.Ş., një ndërmarrje e lidhur me bashkinë.

Autoritetet pretendojnë se përmes kësaj kompanie është krijuar një “sistem i sajuar tenderësh”, me të cilin janë manipuluar procedurat e prokurimit publik dhe janë favorizuar subjekte të caktuara në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të operacionit janë lëshuar urdhra ndalimi për 30 persona, prej të cilëve 29 janë arrestuar, ndërsa një i dyshuar ndodhet jashtë vendit dhe për të vijon kërkimi.

Hetimet po vazhdojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për identitetin e të arrestuarve apo për rolin e tyre të saktë në skemën e dyshuar.

Ndryshe, vitin e kaluar, kryetari i Stambollit dhe kandidati presidencial İmamoglu nga Partia Republikane Popullore (opozita), u ndalua nga policia turke nën dyshimet për korrupsion, zhvatje, ryshfet, pastrim parash, spiunazh dhe mbështetje të terrorizmit, veçanërisht të PKK-së. /Telegrafi/

InfoShqip