E hënë, 18 Maj 2026
Lajme

Pa paga të prillit, punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë nesër hyjnë në grevë

Image

Shumica e punëtorëve teknikë të shkollave në Komunën e Prishtinës, të cilët menaxhohen nga kompanitë private, kanë mbajtur sot një protestë njëorëshe (nga ora 11:00 deri në 12:00) si shenjë pakënaqësie për mosdhënien e pagave të muajit prill.

Përmes një njoftimi për media, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK), e udhëhequr nga Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se kjo protestë do të përshkallëzohet menjëherë.

“Duke filluar nga nesër, më datë 19.05.2026 në orët e mëngjesit, punëtorët do të hyjnë në grevë deri në realizimin e kërkesave të tyre lidhur me pagesat e vonuara,” thuhet në njoftimin e sindikatës.

Përveç problemit me paga, FSPTSPK ka ngritur edhe një shqetësim serioz që ndërlidhet me lirinë e shprehjes dhe raportimin e mediave. Sipas sindikatës, në njërën nga shkollat e kryeqytetit ka pasur tendencë për t’u bërë presion punëtorëve grevistë.

Sipas njoftimit, në shkollën SHFMU “Asim Vokshi”, drejtoria e shkollës nuk i ka lejuar punëtorët që të prononcohen para mediave përgjatë kohës sa po zhvillohej protesta.

Deri më tani, menaxhmenti i shkollës në fjalë apo Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me këto pretendime të sindikatës. /Telegrafi/

InfoShqip