Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një operacion të suksesshëm kundër trafikimit të narkotikëve, në kuadër të të cilit është sekuestruar mbi një kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe është arrestuar një person i dyshuar.
Sipas njoftimit, operacioni është zhvilluar nga njësitet kompetente të antidrogës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ndërsa në veprime janë përfshirë edhe Dogana e Kosovës dhe njësitet relevante policore.
“Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet kompetente të antidrogës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, kanë realizuar me sukses një operacion policor në kuadër të luftimit të trafikimit të narkotikëve”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se rasti ka nisur pas pranimit të një informacioni në rrugë operative nga DHTN Ferizaj, për një dërgesë të dyshuar përmes postës, çka ka shtyrë institucionet që të ndërmarrin veprime të koordinuara hetimore dhe operative.
“Pas pranimit të një informacioni në rrugë operative… për një dërgesë të dyshuar përmes postës, janë ndërmarrë veprime të koordinuara hetimore dhe operative”, thuhet më tej.
Sipas policisë, gjatë zbatimit të planit taktik, rreth orës 12:20, në rrugën Prishtinë–Prizren, në Llapushnik, është ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, ku gjatë kontrollit është gjetur një pako me substancë të dyshuar narkotike.
“Rreth orës 12:20… në Llapushnik është ndaluar për kontroll një automjet… ku gjatë kontrollit është gjetur një pako që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë”, thuhet në njoftim.
Në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili, me vendim të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë.
“Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Si prova materiale, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar mbi 1 kilogram marihuanë dhe një telefon mobil.
“Si prova materiale janë sekuestruar mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një telefon mobil”, thuhet më tej.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive kriminale, duke ndërmarrë veprime të vazhdueshme për garantimin e sigurisë publike dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/
