Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka njoftuar se ka realizuar një operacion në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, ku është parandaluar një rast i dyshuar i kontrabandimit me ar të padeklaruar.
Sipas njoftimit, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë me inicialet M.L.
“Sot, rreth orës 16:10, mbi bazën e informacioneve inteligjente, është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë (M.L.)”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të detajuar, autoritetet kanë bërë të ditur se në çantën e një pasagjereje me inicialet J.H. janë gjetur stoli ari të ndryshme, të fshehura në një qese të mbyllur.
“Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur”, thuhet më tej.
Po ashtu, sipas policisë, edhe te drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura disa stoli ari.
“Tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari”, thuhet në njoftim.
Policia dhe Dogana bëjnë të ditur se pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram dhe se i njëjti nuk ishte deklaruar.
“Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në fund, institucionet kanë theksuar se mbeten të vendosura në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke garantuar siguri dhe rend në kufijtë shtetërorë të Kosovës. /Telegrafi/





