E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Parregullsi në spitalin e Prizrenit me Hemodializë, lirohet nga detyra kryeinfermieri

Image

Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka njoftuar se ka nisur një proces të monitorimit dhe mbikëqyrjes në të gjitha repartet, me qëllim të “vënies së rregullit, ligjshmërisë dhe rritjes së llogaridhënies” në punë, ndërsa ka bërë të ditur se gjatë këtij procesi janë identifikuar parregullsi të rënda në Shërbimin e Dializës.

Sipas njoftimit, në tetor të vitit 2025 u është dërguar një urdhëresë shefave, kryeinfermierëve dhe udhëheqësve të njësive për zbatimin e disiplinës dhe përgjegjësive në punë.

Për këtë qëllim, spitali thotë se ka formuar një komision të posaçëm, i cili përmes kontrollit të drejtpërdrejtë dhe monitorimit të kamerave të sigurisë, ka konstatuar parregullsi në Hemodializë.

“Përmes kontrollit të drejtpërdrejtë dhe monitorimit të kamerave të sigurisë, [komisioni] ka identifikuar parregullsi të rënda në Shërbimin e Dializës”, thuhet në njoftim.

Spitali bën të ditur se pas verifikimit të pamjeve, është konstatuar se punëtorët e hemodializës, përfshirë edhe kryeinfermierin, kanë bërë regjistrimin e hyrje-daljeve duke përdorur kartelat elektronike të njëri-tjetrit, “në mënyrë të paautorizuar”.

“Është konstatuar se punëtorët e hemodializës, përfshirë edhe kryeinfermierin, kanë bërë regjistrimin e hyrje-daljeve, duke përdorur kartelat elektronike për njëri-tjetrin në mënyrë të paautorizuar”, thuhet më tej.

Sipas njoftimit, lidhur me gjetjet, drejtori ekzekutiv ka thirrur në takim urgjent shefin, kryeinfermierin dhe stafin e Hemodializës, ku janë njoftuar zyrtarisht me parregullsitë e evidentuara.

Si rrjedhojë, spitali ka bërë të ditur se është iniciuar procedura disiplinore për të gjithë personat e përfshirë, ndërsa kryeinfermieri është liruar nga detyra.

“Është iniciuar menjëherë procedura disiplinore në Komisionin Disiplinor për të gjithë personat e përfshirë, ndërsa kryeinfermieri është liruar nga detyra”, thuhet në njoftim.

Spitali pretendon gjithashtu se pas masave të ndërmarra, “individët që kanë abuzuar me detyrën” kanë tentuar të shantazhojnë procesin e punës në Shërbimin e Dializës, por menaxhmenti thotë se ka marrë masa që shërbimi të mos ndërpritet.

“Menaxhmenti ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që procesi i punës të mos ndërpritet”, thuhet në njoftim.

Spitali ka siguruar se pacientët do të vazhdojnë të marrin shërbimet e dializës pa pengesa.

“Sigurojmë qytetarët se të gjithë pacientët kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin shërbimin e nevojshëm të dializës pa asnjë pengesë”, thuhet në reagim.

Në fund, menaxhmenti i Spitalit të Prizrenit ka theksuar se nuk do të tolerojë abuzimet me detyrën zyrtare, duke thënë se është i vendosur të vazhdojë me vendosjen e rregullit dhe disiplinës. /Telegrafi/

InfoShqip