Ndërsa shkrimtari Franz Kafka, në vjeshtën e vitit 1918, rrinte i mbyllur në karantinë, i infektuar nga gripi spanjoll, nën dritaren e tij u themelua një shtet i ri – edhe me ndihmën e një presidenti amerikan, i cili do të luante rol edhe në mbrojtjen e Shqipërisë.
Kritiku letrar gjerman Reiner Stach ka punuar 18 vjet në një biografi me tre vëllime të shkrimtarit të madh Franz Kafka.
Ky studim, i shkruar si roman, është një minierë e vërtetë me të dhëna interesante si për punën krijuese, ashtu edhe për jetën e përditshme të Kafkës.
Një ndër episodet më interesante është se si Kafka, kur i kaluan ethet e një gripi, doli në rrugë dhe e kuptoi se tani ishte shtetas i një shteti të ri.
Por të shkojmë me radhë.
Në vjeshtën e vitit 1918, Kafka ndiqte kurse në një institut për t’u bërë kopshtar i kualifikuar, mësonte hebraisht dhe kishte vendosur të mos martohej kurrë pas ndarjes nga e fejuara e tij, Felice Bauer.
Ai ishte i pasigurt në çdo lidhje.
Më 14 tetor 1918, Kafkën e kapën ethet.
Si shumë njerëz të tjerë, edhe Kafka ishte infektuar me gripin spanjoll.
Reiner Stach shkruan në vëllimin e tretë të biografisë së Kafkës: “Ky nuk ishte më një grip i zakonshëm. Ishin simptomat e një sëmundjeje që do të zhvillohej në një pandemi shkatërruese, e cila do të përfshinte të gjithë rruzullin tokësor. Dhe kjo ndodhi me një shpejtësi që e bëri infeksionin masiv të shpërthente si një katastrofë natyrore… Në fund të shtatorit u bënë të njohura rastet e para; brenda javës së parë të tetorit vdiqën rreth dyqind njerëz në secilin prej metropoleve, Vjenë dhe Berlin, ndërsa nga mesi i tetorit ishin deri në dyqind në ditë”.
Kafka u godit nga ky grip në kulmin e pandemisë. Shkollat ishin të mbyllura, po ashtu edhe teatrot, kinematë, dyqanet.
Në çdo morg s’kishte vend për të vdekurit.
Gripi spanjoll bënte kërdi – dhe i ngjante pandemisë së koronavirusit me të cilën u konfrontua bota në vitin 2020, pasi rasti i parë u bë i ditur më 31 dhjetor 2019 në Vuhan të Kinës.
Kafka ishte shëndetlig, me tuberkuloz, nga i cili do të vdiste në vitin 1924.
Kur u infektua me gripin spanjoll, ai u mbyll në dhomën e gjumit të prindërve të tij.
Ndërsa Kafka gjendej në karantinë, çekët bënin plane për shtetin e tyre, dëshironin të braktisnin Perandorinë Austro-Hungareze.
Në dhomë lëngonte Kafka, poshtë dritares zhvillohej revolucioni dhe pacienti i quajtur Austro-Hungari jepte grahmat e fundit.
Presidenti amerikan Woodrow Wilson hodhi poshtë kërkesën e perandorit austriak për të ruajtur Monarkinë Austro-Hungareze – kësisoj Wilsoni vuri themelet për themelimin e shtetit të ri çekosllovak.
Një vit më vonë, më 1919, Wilsoni do të mbrojë ekzistencën e Shqipërisë si shtet dhe do të deklarohet kundër planeve të fqinjëve të saj për copëtimin e mëtutjeshëm të territoreve shqiptare.
Më 1922, SHBA-ja do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë dhe do ta njohë shtetin shqiptar edhe formalisht.
Për shkak të rrethanave të kohës, Shqipërisë iu desh të priste 10 vjet për njohjen nga SHBA-ja.
Kur 86 vjet më vonë Kosova shpalli pavarësinë, ajo priti pak më shumë se 10 orë dhe njohja nga Washingtoni erdhi.
Të kthehemi te heroi i këtij rrëfimi, te Franz Kafka.
Ai qëndroi 5 javë në karantinë për të hequr qafe gripin spanjoll.
Kur doli nga karantina, Austro-Hungaria nuk ekzistonte më; një shtet i ri ishte themeluar, quhej Çekosllovaki.
Stacioni i trenit në Pragë kishte ndërruar emrin: nga perandori “Franz-Joseph” në “Woodrow Wilson”.
Tani çekishtja ishte bërë gjuhë zyrtare, duke lënë në hije gjermanishten, ndërsa në pasaportën e re Franz Kafka quhej: František Kafka.
“Të zhytesh në ethe si nënshtetas i Monarkisë Habsburgase dhe të zgjohesh sërish si qytetar i një demokratie çeke: tashmë kjo ishte rrëqethëse, por edhe komike”, nënvizon Reiner Stach. /Telegrafi/
