
Efektivi i policisë Anxhelo Kumaraku ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate në zonën e Shkozës.
Lidhur me ngjarjen, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy vëllezër, të cilët dyshohet se janë autorët e atentatit me armë zjarri.
Sipas burimeve pranë grupit hetimor, objektiv i sulmit dyshohet të ketë qenë fqinj i Kumarakut, me të cilin efektivi ndodhej në momentin e ngjarjes. Ky i fundit rezulton person me masë sigurie “arrest në shtëpi”, të cilën e kishte thyer në kohën kur ndodhi atentati.
Dy vëllezërit e shpallur në kërkim kanë pasur një konflikt për një çështje borxhi me fqinjin e efektivit. Mësohet se disa muaj më parë, për shkak të këtij konflikti, personi që ndodhej nën masë sigurie kishte dhunuar dy vëllezërit.
Në shenjë hakmarrjeje, ata dyshohet se kanë tentuar ta ekzekutojnë mbrëmjen e së dielës, por plumbat kanë goditur efektivin e policisë Anxhelo Kumaraku.
Gjatë dëshmisë së tij para hetuesve, Kumaraku ka deklaruar se nuk kishte njoftuar strukturat policore për thyerjen e masës së sigurisë nga fqinji i tij. Ai ka pohuar gjithashtu se me të njiheshin prej vitesh, që nga fëmijëria, dhe se në momentin e atentatit ndodheshin në një rrugicë pranë banesës.
Efektivi i plagosur ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
