E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Protestojnë peshkatarët në Pogradec, kërkojnë heqjen e kufizimeve për gjuetinë në liqen

Screenshot 10 3 734x400

Peshkatarët e licencuar të Pogradecit që peshkojnë në ujërat e liqenit te Ohrit kanë protestuar këtë të premte përpara bashkisë, duke kundërshtuar kufizimet që po i pengojnë të ushtrojnë aktivitetin në liqen.

Ata pretendojnë se ndalimi i peshkimit, i vendosur për shkak të periudhës së shtimit të peshkut të llojit klen, po zbatohet edhe për specie të tjera të këtij liqeni, përfshirë koranin dhe belushkën.

Peshkatarët kanë ngritur akuza ndaj Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, duke pretenduar se kufizimet po vendosen në mënyrë arbitrare prej tyre.

Kryetari i shoqatës Adriatik Dokollari, së bashku me sekretarin e Bashkisë Pogradec, zhvilluan një takim me peshkatarët. Takimi u shoqërua me debate, ndërsa palët diskutuan mbi mënyrën e zbatimit të kufizimeve në liqen.

Në fund të takimit, peshkatarët firmosën një peticion me kërkesat e tyre, i cili do t’i drejtohet Ministrisë së Bujqësisë. Në vijën liqenore të Pogradecit ushtrojnë aktivitetin mbi 120 peshkatarë të licencuar.

InfoShqip