Ndryshe nga pretendimet e opozitës, që flet për bllokim të procesit të integrimit, maxhoranca thotë të kundërtën.
“Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër Europës sesa është sot. Nuk flitet për ngecje, nuk flitet për humbje drejtimi, pasiguri, flitet vetëm për avancim, ritëm, besueshmëri, për një Shqipëri që po hyn seriozisht në fazën përmbyllëse të rrugës europian.”
Për procesin teknik dha më shumë detaje kryenegociatorja Majlinda Dhuka, në një tryezë të Këshllit Kombëtar të Integrimit, në të cilin nuk mori pjesë asnjë deputet i PD-së por vetëm shoqëria civile dhe drejtues insitucionesh, mes tyre dhe kreu i SPAK, Klodian Braho.
“Sfida është mbyllja e tyre me dinjitet, cilësi dhe rezultate të pakthyeshme si vend i BE. Po punojmë intensivisht që të përgatisim teknikisht mbylljen e kapitujve për të paktën 10 kapitujt e parë që mbulojnë 27 nga 101 piketa në total, teksa punojmë paralelisht me të gjitha fushat ose kapitujt e tjerë.”
Avancim më të madh është bërë në 3 kapituj.
“Sa u përket kapitujve 30, marrëdhëniet me jashtë, 25, kërkimi shkencor dhe 26 – arsimi, ne vlerësojmë se Shqipëria i ka kryer të gjitha përgatitjet. Sigurisht pritet vlerësimi i Komisionit Europian dhe vendeve anëtare.”
Faza e përmbylljes së negociatave konsiderohet prej qeverisë si shumë e rëndëishme, në një kohë që Komisioni Europian ka dhënë rekomandim pozitiv dhe këto ditë pritet votimi mbi progresin e shqipërisë edhe nga Parlamenti Europian.
