E premte, 24 Prill 2026
Lajme

Rama: Të flasim me Rusinë/ Kryeministri mendon se Evropa ka bërë një gabim strategjik duke ndërprerë komunikimin

Edi Rama, artisti serioz që bën art në diplomacinë ndërkombëtare. Kështu e përshkruan Politico kryeministrin e Shqipërisë gjatë një interviste në Forumin e Delfit në Athinë.

Ndërsa bota ndahet mes Trump dhe BE, ndryshe nga të tjerët, Rama nuk di të zgjedhë.

“Është si inteligjenca njerëzore dhe ajo artificiale. Në art, duhet t’i pranosh të dyja, për të pasur rezultatin më të mirë.”, shpjegoi ai.

Por ndërsa Shqipëria vrapon drejt BE-së, Rama nuk ngurron të kritikojë familjen ku synon të anëtarësohet, për strategjinë e ndjekur si në rastin e Ukrainës.

“Mund të them se Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke prerë çdo kanal me Rusinë. Evropa duhet të flasë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me të gjithë”.

Por simpatia e Ramës për Trump është e dukshme. I pyetur për investimin e dhëndrit Jared Kushner në Sazan, Rama tha se marrëveshja finale nuk është arritur ende, por po pret me padurim.

“Do të doja që më në fund ta arrinim marrëveshjen, sepse nëse investimi i tyre, në kompaninë e Kushnerit, do të realizohet, do të jetë një dhuratë e bukur… për t’i bërë Evropës”.

Në këtë intervistë, Rama zbuloi se po përgatit Diellën si një ministre të mirëfilltë të qeverisë së tij.

“Po e përgatisim atë për intervista të drejtpërdrejta, si dhe për mbledhje qeveritare”

InfoShqip