Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e 7 të pandehurve të dosjes Revanshi për tu gjykuar me procedurë të shkurtuar, duke u pajtuar kështu me të gjitha provat që janë relatuar nga prokuroria e posaçme në këtë proces gjyqësor.
Prokurori Alfred Shehu kërkoi kohë të përgatiste pretencën, kërkesë që u pranua nga togat e zeza, të cilët caktuan datën 20 maj për seancën e radhës gjyqësore, ku organi i akuzës do të japë konkluzionet përfudimtare për secilin prej të pandehurve.
Gjykimi i shkurtuar iu refuzua vetëm Marklen Hakës për shkak të veprës së rëndë, vrasje e mbetur në tentativë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal në dëm të Durim Bamit. Për të çështja u veçua dhe do të vijojë me gjykim të zakonshëm, në një proces ku do të thirren dëshmitarë për tu marrë në pyetje lidhur me këtë episod.
Dosja Revanshi është ndarë në disa fraksione, ku pak ditë më parë për një tjetër grup, me të përfshirë shtetasit Emiljano Shullazi, Gjergji Cukali, Astrit Avdyli, Xhelal Rraja, Viktor Imeraj etj, SPAK kërkoi 127 vite e 6 muaj burg në total për të gjithë të pandehurit.
Zbërthimi i komunikimeve të kriptuara në aplikacionin skyecc, çoi në identifikimin dhe goditjen e 7 grupeve kriminale, ku Prokuroria e Posaçme në maj të vitit 2024 lëshoi 50 urdhër arreste në total. Një pjesë e tyre u ekzekutuan, ndërsa pjesa tjetër janë të shpallur në kërkim.
Të gjithë personat ishin përfshirë në sigurim kushtesh për të kryer vrasje, kultivim narkotikësh në bashkëpunim me strukturat policore, atentate dhe episode të tjera kriminale.
