E enjte, 14 Maj 2026
Lajme

Rregullorja e re e Kuvendit, pikat ku ndahen PS dhe PD! Debate mes socialistëve

A 143 648x400

Pasi votuan me konsensus rezolutën për integrimin, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u ulën së bashku në një prej zyrave të sallës së seancave plenare  për të gjetur kompromis mbi Rregulloren e Kuvendit.

Në këshillin e mandateve u diskutuan 4 propozime; 3 që vinin nga radhët e socialistëve dhe propozimi i Partisë Demokratike.

Demokratët pranuan propozimin e kryetarit të kuvendit Niko Peleshi, që ligjet e nevojshme për integrimin të kalojnë me procedurë të përshpejtuar, por vetëm në rastet kur Brukseli kërkon miratimin e tyre të shpejtë.

Socialistët pranuan propozimin e demokratëve që nëse një institucion nuk u jep informacion deputetëve atëhere ndërhyn kryetari i kuvendit që kërkesa e deputetëve të plotësohet.

Por socialistët hodhën poshtë kërkesën e opozitës që komisioni i integrimit të ndahet nga komisioni i jashtëm.

Debatin më të fortë me opozitën por edhe brenda vetë socialistëve e shkaktuan kompetencat që i janë dhënë komisionit për mbikqyrjen institucionale të drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Gazment Bardhi bëri të qartë se opozita ështe kundër këtyre kompetencave dhe debati më i fortë u zhvillua mes kryetarit të grupit parlamentar të PS Taulant Ballës dhe kryetarit të komisionit të ligjeve Ulsi Manjës.

Balla u tërhoq nga propozimi i tij fillestar që komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj të ketë kompetencë kontrollin post legjislativ, një propozim me të cilin Ulsi Manja nuk ishte dakord.

Manja nuk ishte dakord as me kompetencat që propozimi i Taulant Ballës i jep këtij komisioni në lidhje me raportimin e institucioneve të pavarura dhe hartimin e rezolutës duke bërë amendamente të reja.

Mbeter për tu parë nëse të enjten e ardhshme mazhoranca e opozita do të gjejnë apo jo gjuhën e kompromisit për Rregulloren e Kuvendit.

InfoShqip