
Shqipëria nuk rrezikohet nga sulmet e Iranit. I këtij mendimi ka qenë diplomati i karrirës Gëzim Turdiu, teksa ka qenë i ftuar në emisionin Quo Vadis në Vizion Plus.
Ai theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e bën territorin tonë më të mbrojtur dhe më të sigurt, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për të huajt që duan të investojnë.
“Ne japim kontribut politik, kryesisht në NATO. Ne përballojmë 0.007% të buxhetit të NATO-s qëështë e papërfillshme në kuptimin e financave por edhe kapaciteteve ushtarake. Ne nuk jemi aty sepse duhet të japim avionë, ushtarë, tanke, artileri apo raketa. Ne jemi aty se jemi pjesë e një grupi shtetesh që ndajmë vlera të përbashkëta dhe shqetësime të ngjashme të sigurisë. Jemi në NATO dhe jemi sot po të shikojmë qiellin, patrullojnë avionë të NATO-s që patrullojnë qiellin tonë sepse ne jemi anëtarë të NATO-s. Ne jemi pjesë e mbrojtjes së sistemit raketor të NATO-s, nuk ka shanse të vijë një raketë balistike nga Irani të bjerë këtu, sepse do kapet me siguri. Kjo na jep qetësinë, sigurinë vendit që nëse plotësohen edhe kushtet e tjera të vijnë edhe investimet e huaja në mënyrë masive. Je vend i sigurt në aspektin e sigurisë, por ata kërkojnë siguri të natyrave të tjera si psh të drejtësisë. Pra kërkojnë që norma e rrezikut të jetë e pranueshme dhe nëse ka një problem të kenë ku të adresohen”, tha Turdiu.
/vizionplus.tv
