E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Rritja e turizmit në Antarktidë ngre alarmin për ndotje dhe përhapje të sëmundjeve

Antarktida po përjeton një rritje të ndjeshme të turizmit, e nxitur pjesërisht nga frika se peizazhet e saj të ngrira mund të zhduken në mënyrë të pakthyeshme, për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas AP.

Ekspertët paralajmërojnë se shtimi i vizitorëve rrit edhe rrezikun për ndotje, përhapje sëmundjesh dhe dëmtime të tjera në këtë kontinent të brishtë.

Megjithëse numri i turistëve mbetet relativisht i ulët, për shkak të kostove të larta dhe kohëzgjatjes së udhëtimeve, ai po rritet me ritme të shpejta, duke ngritur alarmin mes shkencëtarëve dhe ambientalistëve.

Vëmendja ndaj këtij fenomeni u rrit, pas shpërthimit vdekjeprurës të virusit të rrallë “Hantavirus” në bordin e anijes holandeze “MV Hondius” gjatë një kroçere polare disajavore.

Shumica e ekspeditave drejtohen drejt Gadishullit Antarktik, një nga zonat që po ngrohen më shpejt në botë.

Sipas të dhënave të NASA-s, nga viti 2002 deri në 2020 janë shkrirë mesatarisht rreth 149 miliardë tonë akull çdo vit.

Një nga itineraret më të zakonshme përfshin nisjen nga Argjentina drejt Antarktidës dhe më pas kthimin përgjatë brigjeve të Afrikës – rrugë e ndjekur edhe nga anija “MV Hondius”.

Claire Christian, drejtoresha ekzekutive e “Koalicionit të Antarktidës dhe Oqeanit Jugor”, theksoi se Antarktida ofron përvoja unike në botë, nga balenat dhe fokat te pinguinët dhe ajsbergët, duke lënë mbresa të forta tek vizitorët.

Rritje e shpejtë e vizitave turistike

Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Operatorëve Turistikë të Antarktidës, në vitin 2024 mbi 80 mijë turistë zbarkuan në kontinentin e akullt, ndërsa 36 mijë të tjerë e vizituan nga anijet turistike.

Ndërkohë, Unioni i Shkencëtarëve të Shqetësuar vlerëson se turizmi në Antarktidë është rritur dhjetëfish gjatë 30 viteve të fundit.

Studiues nga Universiteti i Tasmanisë paralajmërojnë se ky numër mund të trefishohet ose katërfishohet në dekadën e ardhshme, duke kaluar 400 mijë vizita në vit.

Sipas ekspertëve, një pjesë e turistëve tërhiqen nga i ashtuquajturi “turizëm i shansit të fundit”, për të parë nga afër një mjedis që po ndryshon me shpejtësi.

Rreziku i ndotjes dhe sëmundjeve

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ndotje të lidhur me anijen “MV Hondius”, por shqetësimet mbeten.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në vitet e fundit shpendët migratorë kanë sjellë gripin e shpendëve nga Amerika e Jugut në Antarktidë.

Për këtë arsye, operatorët turistikë kanë forcuar rregullat për higjienën dhe sjelljen e vizitorëve, për të mbrojtur si turistët ashtu edhe ekosistemin e brishtë.

Vizitorëve u kërkohet të shmangin kontaktin me kafshët dhe të mos prekin tokën me objekte të tjera përveç këmbëve.

Në anijet turistike ekziston gjithashtu rreziku i përhapjes së sëmundjeve si “norovirusi”, ndërsa në vitin 2020 shpërthimi i COVID-19 në bordin e “Diamond Princess” tregoi se sa shpejt mund të përhapen viruset në hapësira të mbyllura.

Hetime për shpërthimin e “Hantavirusit”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, anija “MV Hondius” u nis nga Ushuaia në Argjentinë më 1 prill dhe vizitoi Antarktidën si dhe disa ishuj të izoluar.

OBSH-ja po heton mundësinë e transmetimit nga njeriu te njeriu, ndërsa dyshohet se personi i parë i infektuar e kishte marrë virusin para se të hipte në bord.

Nevoja për masa më të forta

Antarktida administrohet nga Traktati i Antarktidës – i cili e përcakton territorin si zonë shkencore për qëllime paqësore.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky kuadër u hartua në një kohë kur turizmi ishte shumë më i kufizuar.

Ambientalistët kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e specieve si pinguinët, balenat, zogjtë detarë dhe fokat, si dhe të organizmave të vegjël – që janë baza e zinxhirit ushqimor.

InfoShqip