Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se ka përfunduar operacioni ushtarak i nisur në muajin shkurt kundër Iranit, duke sinjalizuar një ndryshim të qasjes së Uashingtonit drejt sigurimit të lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Rubio tha se faza e operacionit të quajtur “Epic Fury” është mbyllur.
“Operacioni ka përfunduar… ne kemi mbaruar me atë fazë”, u shpreh ai, duke shtuar se tashmë vëmendja është përqendruar te një iniciativë e re, e quajtur “Project Freedom”, shkruan cnn.
Sipas tij, kjo nismë synon të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë, përmes të cilit kalon një pjesë e madhe e furnizimit global me energji.
Shtëpia e Bardhë njoftoi Kongresin javën e kaluar se armiqësitë kundër Iranit janë “përfunduar”, duke respektuar afatin 60-ditor që kërkon autorizim formal nga ligjvënësit për vijimin e operacioneve ushtarake.
Megjithatë, presidenti amerikan, Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e rifillimit të sulmeve ajrore në rast se negociatat me Iranin dështojnë ose nëse shkelet armëpushimi aktual.
Në të njëjtën kohë, çështjet kyçe që lidhen me programin bërthamor të Iranit, përfshirë rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta, pritet të trajtohen përmes negociatave diplomatike.
Rubio theksoi se çdo marrëveshje e mundshme duhet të adresojë jo vetëm pasurimin e uraniumit, por edhe fatin e materialeve ekzistuese, duke e cilësuar këtë si një çështje qendrore për sigurinë ndërkombëtare. /Telegrafi/
