
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji i është përgjigjur menjëherë akuzave të bëra nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi ky i fundit deklaroi se nuk mund të pranohen kandidatë të lidhur me kryeministrin Edi Rama në garën për drejtimin e partisë.
Në reagimin e tij, Salianji përdor tone të ashpra, duke akuzuar Berishën për bashkëpunim me qeverinë dhe përfitime personale.
“Sali ‘kolltuku’, plaku i lumtur në azilin e Ramës! Unë bëj burg, ti Sali bën lek nga regjimi i Ramës! Ty Sali të nxjerr Rama nga burgu se i duhesh, mua më fut në burg Rama se e mund, por për mjeranin e azilit të Ramës që je kthyer ti, unë që bëj burg ‘shitem’”, ish-deputeti i PD, Ervin Salianji
Ndër të tjera, Salianji akuzon Berishën edhe për afera e lidhje me zyrtarë të qeverisë.
“Me Ballukun ti Sali merr leje, licenca e tendera, por unë zhurmoj. O zoti fosil, Ballukun dhe Agasin nuk i bashkoi dot Rama, jo unë. I vetmi që i ke bashkuar në një formë je ti, se paguheshe nga të dy edhe nga Agasi, edhe nga Balluku. Prandaj nuk i nxjerr dot dosjet e të dyve. Publikoji të plota, frikacak. Ti Sali për lek shet edhe shpirtin. Nuk të mjaftojnë koncesionet, lejet, kullat, tenderat, minierat, hidrocentralet, parqet, bregdeti dhe malet që po i shqyen bashkë me Ramën; dhe për të përfituar këto, nuk ke asnjë merak të legenosesh!”
Ai fajëson Berishën për lidhje me Ramën dhe për pengimin e tij në kandidim.
“Unë nuk ia fal as Ramës dhe as ty 1 vit heqje lirie, as heqjen e mandatit dhe as ndalimin e kandidimit. Njësoj si Rama edhe ti, ai më ndaloi kandidimin për deputet, ti për kryetar.”
Në përfundim, Salianji paralajmëroi se si Sali Berisha ashtu edhe kryeministri Edi Rama do të “çmontohen” politikisht.
/vizionplus.tv
