
Për herë të parë këtë vit, Qendra Shëndetësore Verore pranë Kishës së Shën Ndout në Laç po ofron shërbim shëndetësor 24 orë gjatë 13 ditëve të martë të pelegrinazhit. Duke nisur nga muaji qershor, kjo qendër do të vijojë funksionimin si qendër shëndetësore verore, duke garantuar kujdes shëndetësor të pandërprerë 24/7 gjatë gjithë sezonit.
Gjatë inspektimit në terren, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prof. Evis Sala, vlerësoi rolin në rritje të turizmit fetar dhe ndikimin e tij në intensifikimin e fluksit të vizitorëve, duke theksuar se zgjerimi i shërbimit shëndetësor është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj kësaj dinamike. Ajo nënvizoi se qendra tashmë ofron shërbim të pandërprerë gjatë martave të pelegrinazhit, duke siguruar reagim të menjëhershëm dhe asistencë mjekësore për çdo rast.
Ministrja Sala u ndal edhe te rritja e kapaciteteve me personel mjekësor për qendrat shëndetësore verore, duke evidentuar faktin se në thirrjen e fundit ka patur interes të shtuar nga mjekë dhe infermierë për të shërbyer në këto qendra përgjatë sezonit veror.
“Është fakt që nga 300 vende vakante për personel mjekësor dhe infermieror të lançuar në thirrjen e fundit kemi patur 700 aplikime. Ky është një lajm i mirë pasi tregon dedikimin, rritjen e interesit, përkushtimin, por dhe besimin në portalin e punësimeve në shëndetësi” – u shpreh ministrja Sala.
Edhe kryeministri Rama ka reaguar për këtë shërbim.
“Për herë të parë, pranë Kishës së Shën Ndout në Laç, ofrohet shërbim shëndetësor 24 orë gjatë 13 të martave të pelegrinazhit, duke garantuar asistencë të menjëhershme dhe cilësore për të gjithë besimtarët. Paralelisht, janë marrë të gjitha masat që 36 qendra shëndetësore verore në të gjithë vendin të jenë plotësisht funksionale gjatë sezonit turistik, duke siguruar mbulim të gjerë dhe kujdes shëndetësor të pandërprerë për qytetarët dhe vizitorët. 300 mjekë dhe infermierë, nga 700 aplikime, janë angazhuar për të kontribuar në këtë sezon veror, në shërbim të çdo qytetari dhe vizitori”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
/vizionplus.tv
