
Sot përfundon afati për partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës për ta njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme, si dhe për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se kjo periudhë ka nisur më 1 maj dhe mbyllet sot, më 7 maj.
Sipas tij, deri të mërkurën në orën 12:00, KQZ kishte pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike, ndërsa katër parti të tjera kanë njoftuar mospjesëmarrjen.
“KQZ ka pranuar njoftimin për pjesëmarrje në zgjedhje nga 18 parti politike; mospjesëmarrjen nga 4 të tjera dhe formimin e 1 koalicioni të përbërë nga 2 parti politike”.
Po ashtu, deri tani është deklaruar vetëm një koalicion parazgjedhor, i formuar nga dy parti boshnjake: Demokratska Stranka Boshnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të cilat kanë regjistruar koalicionin me emrin “Koalicija VAKAT”.
Sipas KQZ-së, ky proces vlen vetëm për partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrit të partive politike në Kosovë.
“Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës”.
Ndërkaq, sipas Elezt, dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.
The post Sot përfundon afati për njoftimin e (mos)pjesëmarrjes në zgjedhje dhe formim të koalicioneve appeared first on Gazeta Express.
