Duket si një ngushëllim shumë I vogël. Një Bajern i madh i këtij sezoni vështirë se do të kënaqet me faktin që ngriti “Pjatën” e titullit kampion në Bundesligë, pasi u eliminua në mënyrë dramatike në gjysmëfinale të Championsit nga Paris SG.
Natyrisht, është edhe finalja e Kupës ndaj Shtutgartit në 23 maj, një trofe tjetër që duket I fituar, por dominimi në Gjermani nuk është se jep kënaqësinë e dikurshme.
Objektivi është gjithmonë Liga e Kampionëve, por sidoqoftë bavarezët dhe tifozët e tyre mund të jenë krenarë për atë që kanë bërë këtë vit.
Titulli ishte fituar më herët, por edicioni u mbyll me triumfin 5-1 ndaj Këlnit në “Alianc Arenë” të Mynihut, një sukses që sikur mishëron forcën e kësaj skuadre në 9 muaj.
Harri Kejn shënoi tri herë, Bishof e Xhekson nga një.
U shënuan 122 gola, rekordi I ri I Bundesligës, po ashtu u vendos rekordi për rrjetat në gjysmën e parë dhe të dytë të edicionit, si dhe për tundjen e rrjetave jashtë fushe.
Kejn nuk e theu dot rekordin e golave në një sezon nga një lojtar, por gjithsesi ishte I madh.
Kapiteni I Anglisë arriti në 36 rrjeta, njësoj si vjet, ndërsa Levandovski ka arritur në 41 dhe “Bomberi I Kombit” Gerd Myler e kishte rekordin me 40 rrjeta.
Në total, Kejn ka 58 rrjeta këtë sezon, ndërsa ka fituar Këpucën e Artë të Europës, jo vetëm të Gjermanisë, duke lënë pas gjigandë si Erling Haland apo Kilian Mbape.
Bajerni tashmë ka 35 tituj në Bundesligë, duke thelluar rekordin e tij, ndërsa trofetë në total janë 86.
