Donald Trump deklaroi të enjten se nuk ndjen asnjë presion për të arritur me shpejtësi një marrëveshje me Iran për t’i dhënë fund luftës, duke theksuar se koha po punon në favor të Shtetet e Bashkuara dhe jo të Teheranit.
“Unë jam ndoshta personi më pak i vënë nën presion që ka qenë ndonjëherë në këtë pozitë. Kam gjithë kohën në botë, ndërsa Irani nuk e ka – ora po ecën!”, shkroi ai në një mesazh në Truth Social, duke iu referuar përfundimit të konfliktit.
Presidenti amerikan përsëriti gjithashtu vlerësimin e tij se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dobësuar rëndë.
Sipas tij, marina iraniane “është në fund të detit”, forcat ajrore janë shkatërruar, ndërsa sistemet kundërajrore dhe të radarëve janë neutralizuar.
Ai shtoi se udhëheqja iraniane është goditur, bllokada është e plotë dhe e fortë, dhe situata për Iranin pritet vetëm të përkeqësohet, pasi “koha nuk është në anën e tyre”.
Lideri amerikan nënvizoi se çdo marrëveshje për përfundimin e luftës do të arrihet sipas kushteve të SHBA-së dhe në përputhje me afatin që ai do të përcaktojë, duke shtuar se një marrëveshje do të ndodhë vetëm kur të jetë “e përshtatshme dhe e dobishme” për SHBA-në, aleatët e saj dhe më gjerë.
Më herët gjatë ditës, Trump shprehu pakënaqësi ndaj udhëheqjes iraniane, ndërsa pret paraqitjen e një propozimi “të unifikuar” për t’i dhënë fund luftës. /Telegrafi/
