E premte, 24 Prill 2026
Lajme

Trump merr pjesë në bisedimet SHBA–Liban–Izrael në Washington

A 310

Presidenti Donald Trump do të marrë pjesë sot në një raund të ri bisedimesh në Washington mes Libanit dhe Izraelit në nivel ambasadorësh, gjatë të cilit Bejruti do të kërkojë zgjatjen e armëpushimit që është në fuqi që nga 17 prilli.

Përveç presidentit amerikan, në takim do të marrin pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, ambasadori i Izraelit në SHBA Yechiel Leiter, ambasadorja e Libanit Nada Hamadeh Mouawad, si dhe ambasadori amerikan në Liban Michel Aissa.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit amerikan të Shtetit për Agjencinë Franceze të Lajmeve, pritet të marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee.

Bisedimet, të cilat fillimisht ishin planifikuar të zhvilloheshin në Departamentin e Shtetit, do të mbahen përfundimisht në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump do të presë dy përfaqësuesit me mbërritjen e tyre.

Gjatë takimit, Libani do të kërkojë “zgjatjen e armëpushimit, i cili përfshin ndalimin e shkatërrimit të banesave dhe ndërprerjen e sulmeve ndaj civilëve, objekteve fetare, gazetarëve, personelit mjekësor dhe atij arsimor”, deklaroi sot, të enjten, presidenti Joseph Aoun.

Një burim zyrtar tha për AFP se Libani do të kërkojë një zgjatje njëmujore të armëpushimit, i cili skadon mbrëmjen e së dielës.

Presidenti shtoi se “shpreson të mund të udhëtojë në Uashington për t’u takuar me presidentin Trump dhe për ta informuar mbi realitetin e situatës në Liban”, duke theksuar se nuk ka menduar kurrë për një kontakt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Dy vendet, që ende ndodhen në gjendje lufte, zhvilluan një takim më 14 prill, po në Uashington, në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit ku Libani u përfshi më 2 mars pas sulmeve të Hezbollah ndaj Izraelit. Ky ishte takimi i parë mes dy vendeve që nga viti 1993.

Më pas, Shtetet e Bashkuara vendosën një armëpushim dhjetëditor, gjatë të cilit mbi 2.400 persona u vranë dhe më shumë se një milion u zhvendosën nga pala libaneze.

Në përfundim të raundit të parë të negociatave, të dy vendet ranë dakord të nisin bisedime të drejtpërdrejta për arritjen e një paqeje të qëndrueshme, në një kohë dhe vend që do të përcaktohen më vonë.

Libani emëroi diplomatin me përvojë Simon Karam si kryetar të delegacionit të tij për këto negociata

Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar deklaroi të mërkurën se Izraeli “nuk ka mosmarrëveshje serioze” me Libanin. “Ekziston vetëm një pengesë për paqen dhe normalizimin mes dy vendeve, dhe kjo është Hezbollah”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje qeverisë libaneze të punojë “së bashku kundër shtetit terrorist që Hezbollah ka ndërtuar në territorin tuaj”.

InfoShqip