E diel, 17 Maj 2026
Lajme

Ylli i Juventusit i thotë “PO” Atletico Madridit, klubi italian kërkon 30 milionë euro

Image

Raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Nico Gonzalez, i cili është në pronësi të Juventusit, ka arritur një marrëveshje për të vazhduar me Atletico Madrid edhe në sezonin 2026/27.

Nico Gonzalez e ka kaluar sezonin 2025/26 në Madrid si i huazuar. Atletico kishte pranuar t’i paguante Juventusit 1 milion euro (që mund të shkonte deri në 2 milionë me bonuse) për huazimin e argjentinasit, ndërsa në marrëveshje ishte përfshirë edhe një detyrim blerjeje prej 32 milionë eurosh.

Megjithatë, kjo klauzolë nuk mund të aktivizohet më. Sipas raportimeve, Atletico do të ishte e detyruar ta blinte përfundimisht Nico Gonzalezin nëse ai do të luante 45 minuta ose më shumë në 60% të ndeshjeve të LaLigës në të cilat ishte në dispozicion gjatë sezonit 2025/26.

Meqë në tri ndeshjet e para të sezonit 2025/26, Nico Gonzalez ishte ende lojtar i Juventusit, ai do të duhej të luante 45 minuta ose më shumë në 21 ndeshje të kampionatit për ta arritur pragun 60%.

Image

Edhe pse ai ka qenë pjesë e 24 ndeshjeve në LaLiga këtë sezon, vetëm 16 prej tyre i ka luajtur për 45 minuta ose më shumë. Tani kanë mbetur vetëm edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit, ndërsa lojtari nuk pritet të paraqitet, pasi ka munguar në tri takimet e fundit për shkak të një lëndimi muskulor.

Sipas “Tuttosport”, Atletico dhe Simeone duan ta mbajnë lojtarin edhe pas përfundimit të huazimit, por jo për çmimin 32 milionë euro që ishte parashikuar verën e kaluar. Raportime të tjera shtojnë se marrëveshja me lojtarin do të ishte deri në verën e vitit 2031.

“Tuttosport” pretendon se tashmë ekziston një dakordim mes rrethit të lojtarit dhe kampit të Atleticos, ndërsa edhe Juventusi është i gatshëm të negociojë shitjen – sa më shpejt të jetë e mundur. Arsyeja është financiare: Juventusi duhet të sigurojë fonde para datës 30 qershor për të shmangur ndëshkimin nga UEFA.

Juventusi e di se duhet të arkëtojë mbi 20 milionë euro që të mos regjistrojë humbje kapitale nga Nico Gonzalez. Raportimet e së shtunës thonë se Atletico nuk do të paguajë mbi 30 milionë euro për një anësor që sapo ka mbushur 28 vjeç, por ka optimizëm se palët mund të gjejnë kompromis për një shumë rreth 25 milionë euro./Telegrafi/

InfoShqip