Gjykata Speciale përmes një postimi në faqen zyrtare në “X” kanë shkruar rreth ndihmës financiare që ofrojnë për pagesën e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarave në rastet kur ata s’mund t’i mbulojnë shpenzimet
“Neni 21 i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës garanton prezumimin e pafajësisë për një të akuzuar dhe rendit të drejtat e tjera që i takojnë atij gjatë gjithë procesit gjyqësor. Kjo përfshin edhe të drejtën për t’u përfaqësuar nga një avokat i zgjedhur prej tij gjatë gjykimit. Dhomat e Specializuara kanë një skemë të ndihmës juridike në rast se i akuzuari nuk ka mundësi financiare për të paguar mbrojtjen e tij”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.
Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.
Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.
Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan në këtë gjyq, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.
Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.
Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
