Shitjet e makinave elektrike u rritën me 51% në Evropë muajin e kaluar, në një kohë kur kostot e benzinës dhe naftës janë rritur për shkak të luftës me Iranin.
Të dhënat tregojnë se 224 mijë automjete të reja elektrike (EV) u regjistruan në mars dhe rreth 500 mijë në tre muajt e parë të vitit, një rritje prej 33.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas analizës së të dhënave të shitjeve në 15 vende nga organizatat New AutoMotive dhe E-Mobility Europe.
Interesi i blerësve për makinat elektrike është rritur në gjithë Evropën që nga fillimi i luftës me Iranin në fund të shkurtit, pasi rritja e çmimeve të karburantit ka nxjerrë në pah përfitimet e energjisë më të lirë elektrike.
Ndërkohë që Donald Trump ka kritikuar shpesh energjinë e rinovueshme dhe politikat europiane në këtë drejtim, shifrat sugjerojnë se lufta SHBA-Izrael kundër Iranit po përshpejton largimin nga motorët me djegie të brendshme.
Norvegjia kryeson me nivelin më të lartë të kalimit në makina elektrike, ku 98% e të gjitha makinave të reja të shitura në mars ishin elektrike, e ndjekur nga Danimarka me 76% dhe Finlanda me pothuajse 50%. Të dhënat përfshijnë 15 vende të BE-së dhe tregut EFTA.
Vendet nordike, kanë avancuar më shpejt në elektrifikim, falë pagave më të larta, subvencioneve bujare dhe infrastrukturës së zhvilluar të karikimit. Javën e kaluar, prodhuesi suedez i makinave plotësisht elektrike Polestar raportoi shitje rekord prej 60 mijë automjetesh gjatë vitit të kaluar.
Prodhuesit perëndimorë të makinave kishin nisur të tërhiqeshin nga makinat elektrike për shkak të rënies së kërkesës dhe uljes së subvencioneve, por lufta me Iranin dhe rritja e çmimeve të karburantit në javët e fundit duket se kanë ndryshuar këtë trend, duke rritur ndjeshëm shitjet edhe në Evropën Qendrore dhe Jugore.
Gjermania, Franca, Spanja, Italia dhe Polonia regjistruan një rritje prej 40% të përdorimit të makinave elektrike në tremujorin e parë të vitit.
Italia, një nga vendet më të ngadalta në BE për kalimin drejt makinave elektrike, shënoi një rritje vjetore prej 65% në mars, megjithëse pjesa e tregut mbetet e ulët, vetëm 8.6%, krahasuar me 28% në Francë.
Në Francë, përdorimi i makinave elektrike u rrit me 50% falë stimujve të shumtë qeveritarë. Qeveria ofron deri në 5 mijë e 700 euro për familjet me të ardhura të ulëta, deri në 4 mijë e 700 euro për ato me të ardhura mesatare dhe 3 mijë e 500 euro për të tjerët.
Gjithashtu, Franca ka krijuar një skemë leasing social për familjet me të ardhura nën 16 mijë e 300 euro në vit për person, që duhet të udhëtojnë të paktën 15 km për në punë, duke e bërë kalimin në makina elektrike më tërheqës sidomos në zonat rurale.
Sipas Chris Heron nga E-Mobility Europe, rritja e shitjeve të makinave elektrike në mars është një nga fitoret më të mëdha të fundit për sigurinë energjetike të Evropës, duke ulur varësinë nga nafta me rreth 2 milionë fuçi në vit.
Gjermania, e përballur me konkurrencën e makinave elektrike kineze, regjistroi një rritje prej 42% të shitjeve të EV-ve në mars. Shoqata gjermane e industrisë automobilistike deklaroi se investimet dhe ristrukturimi po japin rezultate, pasi çdo makinë e dytë elektrike e shitur në Europë prodhohet tashmë në Gjermani.