
Qytetarët e Kosovës, që ditën e zgjedhjeve të 7 qershorit ndodhen jashtë vendit, do ta kenë mundësinë të votojnë.
Kështu ka bërë të ditur Valmir Elezi, zëdhënësi i KQZ-së, i cili ka shtuar se qytetarët duhet ta bëjnë regjistrimin gjatë periudhës për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj 2026.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përveç që mundëson regjistrimin e shtetasve që jetojnë jashtë vendit për të votuar përmes postës ose në përfaqësi diplomatike, një mundësi të tillë e kanë edhe qytetarët e Kosovës të cilët në ditën e zgjedhjeve nuk janë në Kosovë, pra që përkohësisht gjenden jashtë vendit”, ka deklaruar Elezi për Express.
Elezi, po ashtu, ka shtuar se procedura e regjistrimit është e njëjtë me atë për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës.
“Procedura e regjistrimit të tyre është e njëjtë, si ajo e shtetasve të Kosoës që jetojnë jashtë vendit. Vetëm në rubrikën ku kërkohen dokumentet e nevojshme për regjistrim, aplikuesi duhet të bashkangjes dokumentin që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndron përkohësisht, ose dëshmi tjetër banimi për rastet specifike, si rezervim hoteli, konvikti, etj”, tha tutje Elezi.
The post Edhe qytetarët e Kosovës që më 7 qershor janë jashtë do të mund të votojnë, njofton KQZ appeared first on Gazeta Express.
