Akujt janë shkrirë, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama rikthehet në Greqi për tu takuar me homologun grek, Kiriakos Mitsotakis.
Agjencia për Media dhe Informim në Tiranë, konfirmon se Rama dhe Mitsotakis do të takohen të mërkurën në Athinë me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ecurinë e punës së përbashkët për dokumentin e ri të partneritetit strategjik mes dy vendeve, për të cilin janë angazhuar ekipet e ministreve të jashtme të dy vendeve.
Ky është takimi i parë zyrtar mes Ramës dhe Mitsotakis pas 4 vitesh. I fundit daton në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë, pak para se një ngricë diplomatike të fillonte mes Shqipërisë dhe Greqisë, me arrestimin e ish-kandidatit për kryebashkiak të Himarës, Fredi Beleri, për të cilin qeveria e Mitsotakis ngriti pikëpyetje mbi procesin e integrimit europian.
Por siç konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama për gazetën greke Kathimerini të hënën, çështja Beleri i përket së kaluarës dhe marrëdhëniet me Greqinë tashmë janë normalizuar. Athina Zyrtare nuk ka më dilema dhe i është rikthyer mbështetjes së plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Kryeministri Rama do të qëndrojë 3 ditë në Athinë, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik të Defit.
Gjatë punimeve të Forumit, do të nënshkruhet në një ceremoni të veçantë Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC) dhe Hellenic Corporation of Assets and Participations S.A.
Kryeministri Rama do të jetë i shoqëruar nga ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha të cilët janë të ftuar në panele të veçanta të Forumit.
Rama është planifikuar të ketë një bisedë para publikut të Forumit, përballë drejtorit të gazetës Kathimerini, pak para panelit pasardhës ku do të jenë të ftuar kryeministri i Greqisë, Kiriakos Mitsotakis dhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa.
Kurse ministri i jashtëm Ferit Hoxha do të marrë pjesë në dy panele për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor, me pjesëmarrës komisioneren e zgjerimit të BE, Marta Kos dhe ministra të jashtëm nga rajoni.

