Lajme

Ambasadori i SHBA në NATO më 2019 aludonte se Qeveria e VV rrezikonte ta izolojë Kosovën – mbështeste Kadri Veselin

Matthew G. Whitaker, Përfaqësues i Përhershëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, ka vizituar sot Kosovën, ku është pritur nga U.D. Presidentja Albulena Haxhiu.

Vizita e tij rikthen në vëmendje deklaratat e forta që kishte bërë gjatë zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019, kur kishte paralajmëruar për drejtimin që mund të merrte vendi në varësi të rezultatit zgjedhor.

Në një deklaratë publike gjatë asaj kohe, ku kishte ardhur në mbështetje të PDK-së dhe Kadri Veselit, Whitaker kishte theksuar se Kosova ndodhej përballë një udhëkryqi të madh strategjik.

“Me 6 tetor, Kosova ndodhet para një udhëkryqi të madh. Zgjedhja është mes një qeverie të udhëhequr nga Kadri Veseli që do ta forcojë partneritetin me SHBA-të dhe që do ta luftojë korrupsionin. Apo mes një qeverie që do t’i sillte Kosovës izolim ndërkombëtar dhe që nuk do të mund ta luftonte korrupsionin”, kishte deklaruar ai.

Ai kishte shkuar edhe më tej, duke theksuar se Kadri Veseli dhe Partia Demokratike e Kosovës përfaqësonin alternativën e duhur për vendin, si një forcë që garanton partneritet të qëndrueshëm me SHBA-të dhe angazhim real në luftën kundër korrupsionit.

Këto qëndrime, të një zyrtari që sot mban një nga pozitat më të larta në strukturat e NATO-s, konsiderohen si një mesazh i qartë për rëndësinë e orientimit euroatlantik dhe të ruajtjes së aleancave strategjike të Kosovës.

InfoShqip