
Qarkullonte me armë zjarri pistoletë pas mesnate, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
Procedohet në gjendje të lirë edhe një 29-vjeçar, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, pas mesnate, në lagjen “Guerile”, gjatë patrullimit, kanë konstatuar 2 shtetas, të cilët, sapo kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar me vrap.
Pas ndjekjes dhe kontrollit fizik të shtetasit B. H., shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një mjet prerës (thikë).
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. H., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi E. Ç., 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
